Lind vajzë në qelitë e Burgut 313 vlonjatja e arrestuar për trafik
• TIRANE - Lind në qeli e arrestuara për trafik prostitucioni. E.G., nga Vlora e arrestuar në korrik të vitit të kaluar ka lindur pak ditë më parë në paraburgim. Lajmin e pohojnë burime nga burgjet, sipas të cilëve asaj i janë krijuar të gjitha kushtet e mundshme për të jetuar me vajzën në gji. Vajza nga qyteti i Vlorës është arrestuar në fillim të korrikut të vitit të kaluar, nën akuzën e dhënies së ndihmës për trafikimin e një adoleshenteje nga ky qytet. Vepra ka mbetur në tentativë, ç’ka zbut pozitën e së arrestuarës përballë veprës penale. Burime mjekësore pohojnë se vajza që ka lindur pak ditë më parë në qeli, rezulton të ketë qenë vetëm pak javësh shtatzënë në momentin e arrestimit. Pasi është prangosur në qytetin e saj ajo është dërguar në Tiranë në paraburgimin e grave. Gjatë kohës së shtatzënisë mësohet se ajo ka pasur përkujdesjen e duhur mjekësor, derisa pak ditë para lindjes është përcjellë në maternitet. Pas lindjes dhe marrjes së ndihmës së duhur mjekësore ajo është përcjellë sërish në qeli së bashku me fëmijën e saj. Ndërkohë pas pak javësh pritet që Prokuroria të përfundojë hetimet në ngarkim të saj dhe të dërgojë çështjen në gjykatë për t’u shqyrtuar. Ndërkohë pritet që në ditët në vazhdim e arrestuara të paraqesë para togave të zeza kërkesën për revokimin e masës së sigurisë, duke e argumentuar këtë në vlerësimin si rrethanë lehtësuese të faktit të lindjes së fëmijës në qeli dhe krijimit të kushteve për t’u përkujdesur për të. fa.ma.