E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendje e rëndë në dhomat e izolimit në Vlorë, burgjet s‘pranojnë të arrestuarit

• TIRANE – Drejtuesit e Policisë së Vlorës ankohen se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk merr në dorëzim personat e arrestuar ndaj të cilëve Gjykata ka caktuar masën e sigurisë për mbajtje në paraburgim. Gjatë një inspektimi të bërë nga Avokati i Popullit në paraburgimin e Vlorës, është mësuar se në dy dhoma me përmasa 2.5 me 3.5 metra secila, mbahen nga gjashtë persona të arrestuar. Për pesë prej tyre gjykatat kanë vendosur masat e sigurisë dhe sipas ligjit, mbajtja e këtyre personave në ambientet e izolimit të policisë pas vendimit nga togat e zeza, është e paligjshme. Zyrtarët e policisë së Vlorës, janë shprehur se disa herë i kanë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të plotësojë detyrimin ligjor për të marrë në dorëzim të arrestuarit. Administrata e burgjeve siç duket ka refuzuar, ndërsa policia e Vlorës i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë duke i kërkuar ndërhyrje për përmirësimin e situatës. Në dhomat e izolimit të policisë së Vlorës, për shkak të grumbullimit të personave të arrestuar, ata mbahen edhe pas vendimit të gjykatës, në ambiente me hapësirë të vogël, në mungesë të higjienës së nevojshme, pa ushqim dhe pa personel të trajnuar dhe me eksperiencë për trajtimin e tyre sipas ligjit. Inspektimi i Avokatit të Popullit ka marrë shkas nga publikimi në media i artikujve që bëjnë fjalë për gjendjen e rëndë në dhomat e izolimit të policisë së Vlorës. Për shkak se burgjet nuk marrin në dorëzim të arrestuarit, ata mbahen në dhomat e izolimit duke i bërë shkak për mbingarkesë dhe vështirësi të shumta. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë, Drejtoria e Burgjeve duhet të marrë në dorëzim personat e arrestuar pas vendimit të gjykatës përkatëse për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre. “Konstatojmë se kjo detyrë nuk po zbatohet me korrektësi, sepse në dhomat e sigurimit të Komisariatit të Policisë në Vlorë mbahen ende të paraburgosur, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurimi “arrest në burg” apo persona të ndaluar për ekzekutimin e vendimeve penale me burgim”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit. Sipas tij, gjatë komunikimit me titullarët e Drejtorisë së Policisë së Vlorës është mësuar se gjendja e personave me masa sigurimi në këtë komisariat nuk po normalizohet. “Sipas tyre, kjo gjendje vjen për shkak të vështirësive të krijuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila nuk i pranon të paraburgosurit menjëherë pasi ata arrestohen nga gjykata, apo kur ndalohen nga policia ne rastet e ekzekutimit të dënimeve penale me burgim, me pretendimin se nuk ka vende të lira”, thuhet në raport.                             tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›