Myftinia reagon pas lirimit të agresorëve të imamit
• SHKODER – Lirimi i agresorëve të imamit të xhamisë së Kirasit pak orë pas shoqërimit në polici solli reagimin e Myftinisë së Shkodrës.Në një deklaratë publike të bërë paraditen e djeshme, Këshilli i Myftinisë kërkoi veprimin sipas ligjit të organeve të drejtësisë. Myftiu Ndriçim Sulejmani pohoi se për këtë çështje ishte vënë menjëherë në dijeni jo vetëm policia e Prokuroria e Shkodrës, por dhe prefekti, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme, megjithatë sipas tij qëndrimi ishte indiferent. “Imami i xhamisë së Kirasit, Dritan Rrahmani u sulmua dhunshëm, pa asnjë arsye nga tre banorë të qytetit të Shkodrës, ndaj të cilëve u bë kallëzim penal. Na shqetëson fakti i reagimit indiferent të organeve kompetente ndaj denoncimit tonë dhe shqetësimit të ligjshëm të opinionit publik, pasi personat që kryen aktin e dhunshëm, të kapur nga policia u lanë të lirë pas 4-5 orëve. I kërkojmë Prokurorisë së Shkodrës dhe qeverisë shqiptare të marrin masa urgjente dhe serioze mbi aktin e turpshëm dhe t’i japë zgjidhje të drejtë sipas ligjit”, deklaruan përfaqësuesit e Këshillit të Myftinisë. r.d