E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me detyrën, mjekët në pranga

Autori i Lajmit: red.
Abuzimet me detyrën, madje, edhe me jetën e pacientëve, kanë dërguar në qeli katër mjekë të QSUT-së në pak muaj. Dy prej tyre, të arrestuar javën e fundit, në kushtet e flagrancës, akuzohen për korrupsion e shpërdorim detyre. Ndërsa arrestimi dhe vënia e tyre para drejtësisë është realizuar falë metodave të përgjimit. Dy kirurgët e arrestuar pak ditë më parë akuzohen se u kanë marrë para pacientëve për kryerjen e operacioneve në spitale shtetërore. Ndërkohë një tjetër mjek i QSUT-së akuzohet nga Prokuroria për vdekjen e një 17-vjeçareje, për shkak të pakujdesisë gjatë operacionit.
Arrestimet
Zyra e Antikorrupsionit, në bashkëpunim me Njësinë e Specializuar Task-Force pranë Prokurorisë së Tiranës, kanë hetuar për të dyshuarit në radhët e bluzave të bardha. Pas hetimeve kanë mundur të çojnë para drejtësisë tre mjekë. Në fillim të korrikut të këtij viti është vënë në pranga mjeku i QSUT-së që akuzohet për korrupsion. Mjeku urolog i spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë është vënë në pranga në kushte flagrante, teksa merrte shumën prej 50 mijë lekësh për një operacion. Arrestimi i mjekut Kastriot Dautaj, i cili akuzohet për veprën penale të korrupsionit, është realizuar pas një numri hetimesh e përgjimesh nga ana e policisë. Pak muaj më vonë, në fund të tetorit, prangoset Ardian Nelaj, mjeku i spitalit të burgut. Burimet nga policia konfirmuan ditën e ndalimit se mjeku në spitalin e burgut në Tiranë, është prangosur nga forcat e policisë së antikrimit ekonomik në kryeqytet, nën akuzën e korrupsionit. Sipas të njëjtave burime, Ardian Nelaj, mjek në spitalin e burgut, është ndaluar nga policia i akuzuar edhe për mitëmarrje. Ndërsa dy ditë më parë përfundon në qeli shefi i klinikës në spitalin Onkologjik në QSUT “Nënë Tereza”, i akuzuar për korrupsion pasiv. Strukturat Kundër Krimit Financiar pranë Policisë së Tiranës kanë realizuar operacionin e koduar “Plaga e hapur”, ku kanë vënë në pranga mjekun Agim Murat Karaj. Sipas burimeve nga policia, pas dokumentimit ligjor u ekzekutua urdhri i arrestit për Agim Karaj, 58 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me profesion kirurg, me detyrë shef i klinikës në spitalin Onkologjik në QSU “Nënë Tereza”.
Lirimi
Mjekët e arrestuar nuk kanë qëndruar në qeli më shumë se një muaj secili. Kastriot Dauti është lënë i lirë nga Gjykata e Apelit, e cila ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë, lënien në burg të tij. Ndërsa mjeku i spitalit të burgut, Ardian Nelaj, është lënë i lirë nga togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë, duke vendosur kështu hetimin e tij në gjendje të lirë. Ndërkohë që pritet të jepet masa e sigurisë për kirurgun e Onkologjikut, i cili akuzohet për marrje ryshfeti.

29 prill 2008
Vdekja e 17-vjeçares Petriti, mjeku Hoxhallari përfundon në Gjykatë.
Prokuroria e Tiranës përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale të mjekut Xhevahir Hoxhallari, i akuzuar për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm” pas vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë pasditen e 29 prillit të këtij viti. Prokuroria e Tiranës përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale të mjekut Xhevahir Hoxhallari, i akuzuar për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm” pas vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë pasditen e 29 prillit të këtij viti, vetëm pak ditë pas operimit të bajameve nga mjeku tashmë i pandehur. Sipas raportit të aktekspertimit, mjeku Hoxhallari ka gabuar vetëm disa milimetra në ndërhyrjen kirurgjikale, për heqjen e bajameve, duke i prekur arterien kryesore të qafës, që ka sjellë disa herë pas operacionit hemorragji të madhe, çka solli edhe vdekjen e vajzës.

07 korrik 2008
Arrestohet mjeku i QSUT-së, akuzohet për korrupsion. Mjeku urolog i spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë është vënë në pranga në kushte flagrante teksa merrte shumën prej 50 mijë lekësh për një operacion. Arrestimi i mjekut Kastriot Dautaj, i cili akuzohet për veprën penale të korrupsionit është realizuar pas hetimesh e përgjimesh nga ana e policisë. Sipas të dhënave nga policia, mësohet se mjeku i QSUT-së merrte para për operacionet që kryente në këtë spital. Shuma që ai merrte mendohet të jetë 50 mijë lekë për çdo operacion. Ndërkohë mësohet se mjeku Dautaj ishte me gradën “Profesor”.

31 tetor 2008
Prangoset Ardian Nelaj, mjeku i spitalit të burgut. Burimet nga policia konfirmuan ditën e ndalimit se mjeku në spitalin e burgut në Tiranë, është prangosur nga forcat e policisë së Antikrimit Ekonomik në kryeqytet, nën akuzën e korrupsionit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Ardian Nelaj, mjek në spitalin e burgut, është ndaluar nga policia i akuzuar edhe për mitëmarrje.
Prangat mbi doktorin u vunë pasi kishte marrë 25 mijë lekë për një operacion që kishte kryer. Mjeku Nelaj është kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Korrupsioni në mjekësi është një fenomen mjaft i përhapur, por arrestimet e mjekëve janë të pakta. Gjatë arrestimit atij iu sekuestrua, me cilësinë e provës materiale, shuma e parave prej 545.000 lekësh, 760 euro dhe 100 dollarë.

03 nëntor 2008
Përfundon në qeli shefi i klinikës në spitalin Onkologjik në QSU “Nënë Tereza”, i akuzuar për korrupsion pasiv. Strukturat Kundër Krimit Financiar pranë Policisë së Tiranës kanë realizuar operacionin e koduar “Plaga e hapur”, ku kanë vënë në pranga mjekun Agim Murat Karaj. Sipas burimeve nga policia, pas dokumentimit ligjor u bë ekzekutimi i urdhrit të arrestit për Agim Murat Karaj, 58 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me profesion kirurg, me detyrë shef i klinikës në spitalin Onkologjik në QSU “Nënë Tereza”. Sipas policisë, ndalimi i tij u krye pasi, duke qenë në këtë detyrë, u kërkonte dhe përfitonte ryshfete nga të afërm të pacientëve në shumën 45.000 lekë, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale.

Ky lajm është publikuar: 05/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›