Abuzimet me energjinë, 900 debitorë vetëm në Ujin e Ftohtë
VLORË - Vetëm në zonën turistike nga Uji i Ftohtë e deri te Kalaja janë rreth 900 debitorë të energjisë elektrike, të cilët do të jenë edhe objekt i punës së përditshme të grupeve të ngritura nga operatori i sistemit të shpërndarjes së energjisë në Vlorë.
Numri i lartë i debitorëve, por edhe lëshimi i banesave me qira për pushuesit, në kushtet kur pronarët kanë detyrime, ka bërë që vetë operatori të kalojë në sitë zonën, duke vepruar konkretisht. Si bëhet me dije nga strukturat e kësaj ndërmarrjeje, ka nisur një aksion që do të ketë në vëmendje kryesisht zonën bregdetare. Kjo kategori rezulton të ketë detyrime të vjetra ndaj OSSH-së. Në këto zona borxhi te operatori i sistemit të shpërndarjes shkon në mbi 10 milionë lekë të reja. Në fazën e parë janë prerë lidhjet për 45 debitorë, ndërsa pohohet se do të hiqen lidhjet e dyfishta, si dhe nuk do te lejohen rilidhjet pa shlyer me parë detyrimet që kanë ndaj kompanisë shtetërore të shpërndarjes së energjisë.
Kthimi i emigrantëve, kaos në disa akse rrugore në Jug të vendit
GJIROKASTËR - Efektivat e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës vazhdojnë të përballen aktualisht me një fluks të rënduar të automjeteve të cilët udhëtojnë jo vetëm në rrugët kombëtare në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës por edhe në rrugët dytësore. Kthimi i emigrantëve për pushime nga Greqia ka bërë që blutë e rrugorës të përballen më nje fluks në rritje të automjeteve që udhëtojnë nga doganat e Kakavijes dhe Çarçoves në drejtim të zonave të tjera të vendit.
Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Policisë në Gjirokastër vetëm gjatë muaji korrik 2008 dhe ditëve të para të gushtit nëpërmjet doganës së Kakavije kanë hyrë nga Greqia në territorin shqiptar rreth 30 mijë automjete.
Një fluks i tillë trafiku ka rritur ndjeshme ngarkesën e lëvizjes në rrugët kombëtare, Tepelenë-Gjirokastër-Kakavije apo Përmet-dogana e Tri Urave.
Vetëm gjatë muajit korrik nga ana e seksioneve të Policisë së Qarkullimit Rrugor në Komisaritet e policisë të Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës janë vendosur në total 1.478 masa administrative, janë bllokuar 10 automjete dhe janë hequr 38 leje drejtimi.
Me qëllim shmangien e aksidenteve automobilistike kryesisht tek emigrantët që kthehen për pushimet verore, përgjatë rrugëve kombëtare të Qarkut blutë e rrugores kanë ngritur një sërë postblloqesh të lëvizshme me qëllim mbajtjen nën kontroll të trafikut të rënduar të lëvizjes së automjeteve. Ndërkohë punonjësit e qarkullimit rrugor kanë shpërndarë edhe materiale të ndryshme informuese si fletëpalosje, postera etj me qëllim që drejtuesit e mjeteve dhe kryesisht emigrantë të njihen me ndryshimet e reja ligjore në Kodin Rrugor.
15 Gusht 2008