Plagos me thikë bashkëshorten, vetëvaret te plepi pranë shtëpisë
LAÇ – Varfëria dhe gjendja e rëndë depresive është bërë shkas për një tjetër krim bashkëshortor, i ndodhur ditën e enjte në Laç. Alfred Doçi ka qëlluar me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas është vetëvarur në një pemë, fare pranë banesës së tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit të djeshëm, në Lagjen Nr. 5 të qytetit të Laçit, teksa tre fëmijët e çiftit ndodheshin ende në gjumë. Sapo ka ndodhur plagosja e Drane Doçit nga bashkëshorti i tij, policia ka shkuar për ta ndaluar, por e ka gjetur të varur në një plep, rreth 80 metra larg shtëpisë së familjes Doçi. Burimet spitalore bëjnë të ditur se 38-vjeçarja, pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është larguar në banesën e prindërve të saj. Ndërkohë që kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet që detyruan 44-vjeçarin për të vrarë gruan e tij.
Konflikti
Alfred Doçi është zgjuar mëngjesin e djeshëm duke u konfliktuar me bashkëshorten e tij. Pikërisht në orën 7:00 janë shtuar ndjeshëm tensionet në çift, teksa në banesën e familjes Doçi ndodhej edhe motra e Alfredit. Në këto kushte 44-vjeçari ka marrë thikën e bukës dhe më pas e ka qëlluar bashkëshorten e tij në fytyrë dhe në qafë. Sipas dëshmisë në polici të motrës së Alfredit, Dranja ka rënë pa ndjenja në dysheme, ndërsa Alfredi ka dalë nga banesa për të mos u kthyer më. Motra e Alfredit ka kërkuar ndihmë te fqinjët, të cilët e kanë dërguar të plagosurën në Spitalin e Laçit. Kirurgu Leonard Zefi thotë se “ka qenë ora 08:00 e mëngjesit kur është paraqitur në urgjencë Drane Doçi, e cila ishte qëlluar me thikë në fytyrë dhe në qafë. Plaga ishte e thellë, por fatmirësisht thika nuk kishte kapur ndonjë arterie kryesore të qarkullimit të gjakut. Pas mjekimit dhe qepjes së plagës, Dranja është larguar së bashku me të afërmit e saj për në banesën e saj dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”.
Vetëvarja
Policia e Kurbinit, sapo mori informacionin se ndodhej në spital një person i plagosur me thikë, është nisur menjëherë drejt banesën e shtetasit Alfred Doçi. Sapo policia ka mbërritur në shtëpinë ku ndodhi konflikti bashkëshortor, është marrë lajmi se Alfredi ishte vetëvarur në një plep, në afërsi të shtëpisë. Ekspertët kanë bërë ekspertizën e vendit të ngjarjes, si dhe kanë marrë dëshmitë e të afërmve të viktimës. Sipas burimeve zyrtare, 44-vjeçari është vetëvarur në kushte e një depresioni të rëndë dhe mbingarkese emocionale të shkaktuar pas plagosjes së bashkëshortes së tij.
Të afërm të viktimës, të cilët kanë dëshmuar në polici, janë shprehur se çifti Doçi prej vitesh kishte probleme. Familja 5-anëtarëshe kishte probleme ekonomike, pasi dy bashkëshortët ishin të papunë. Duket se kjo ka nxitur edhe shfaqjen e problemeve të depresionit tek kryefamiljari, i cili kohët e fundit po përballej me një gjendje të vështirë psikologjike dhe shëndetësore.
Historia e familjes
Alfred dhe Drane Doçi kishin mbi 15 vjet martesë. Alfredi kishte lindur në Lurë të rrethit të Dibrës, ndërsa Dranja një Pukë. Pas disa vitesh jetese në verilindje, ata janë zhvendosur në qytetin e Laçit rreth 10 vjet më parë. Çifti Doçi kishte sjellë në jetë edhe tre fëmijë të mitur, dy vajza dhe një djalë. Falë punës në emigrim të Alfredit, i cili kishte qëndruar disa vjet në Greqi, familja kishte blerë një sasi toke në periferi të Laçit. Alfred Doçi ishte kthyer nga Greqia para tre vitesh, pikërisht gjatë kësaj kohës që nisi edhe sherri mes tij dhe bashkëshortes.
15 Gusht 2008