Policët zëvendësojnë grabitësit, zhvasin turistët kosovarë
SHKODËR – Sikur të mos mjaftonin grabitjet në aksin Fushë Arrës-Kukës, turistët kosovarë po përballen edhe grabitjet e personave në uniformë. Dy policë të qarkullimit në komisariatin e Pukës janë ndaluar pasi ata u denoncuan nga një kosovar, i cili pretendon se efektivat blu i kanë marrë para padrejtësisht, pasi i kanë kontrolluar mjetin e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se janë arrestuar shtetasit Petrit Nikolli, me detyrë shef i linjave dhe Besnik Sokoli, me detyrë polic rrugor. Ndonëse Policia e Shtetit ka lëshuar një udhëzim në fillim të sezonit turistik, ku përcaktohen edhe kriteret e kontrollit të mjeteve me të cilat udhëtojnë kosovarët që vijnë për pushime në bregdetin shqiptar, sërish nuk kanë munguar abuzimet prej efektivave blu.
Denoncimi
Dy policët e qarkullimit Petrit Nikolli dhe Besnik Sokoli ushtronin kontrolle në aksin rrugor Fushë Arrëz – Pukë. Dy ditë më parë ata kanë ndaluar një makinë, në të cilën udhëtonin turistë nga Kosova. Sipas denoncimit të vetë kosovarit, dy punonjësit e policisë iu kanë kërkuar para pushuesve nga Kosova me pretendimin se nuk kishin dokumentacionin e duhur të automjetit. Kaq ka mjaftuar dhe ndaj tyre të mbërrijë denoncimi. Drejtuesit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, sapo kanë marrë informacionin janë nisur në vendin ku kryenin shërbimin Nikolli dhe Sokoli.
“Nga veprimet e para hetimore si dhe gjatë kontrollit që iu është bërë punonjësve të policisë në fjalë, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi katmonedhash të huaja dhe shqiptare”, - bëjnë të ditur burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës. Sipas tyre, dy efektivat e qarkullimit janë nën hetim pasi akuzohen për veprën penale të “korrupsionit pasiv”.
Problemet
Gjatë gjithë kësaj vere nuk kanë mundur incidentet me mijëra e mijëra turistë nga Kosova, të cilët kanë zgjedhur plazhet shqiptare për të kaluar pushimet. Para disa javësh ndodhi në grabitje në afërsi të Qafë Malit. Disa persona të armatosur i zunë pritë një makine me turistë kosovarë, të cilëve iu morën të gjitha sendet me vlerë dhe paratë që kishin me vete. Por, problemet nuk ndalohen me aq. Me dhjetëra turistë nga Kosova dhe Maqedonia kanë rënë pre e grabitjeve edhe në plazhet ku janë akomoduar. Situata mbetet shqetësuese sidomos në bregdetin e Durrësit, ku grupe të organizuar grabitësish, përfshirë edhe mosha të mitura, kanë plaçkitur makinat e tyre apo edhe dhomat e hotelit. Ndonëse janë paralajmëruar masa nga strukturat e policisë, sërish edhe këtë vit janë regjistruar fenomene të tilla negative, të cilat prishin imazhin e turizmit në vendin tonë. Për aq më tepër, kur abuzimet bëhen edhe nga efektivat blu, të cilët ndëshkojnë padrejtësisht drejtuesit e mjeteve me targa të Kosovës, duke i gjobitur dhe të ardhurat i faturojnë në xhepat e tyre.
15 Gusht 2008