E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon për të vaditur hashashin në mal, prangoset nga policia



PUKE - Mbi 100 rrënjë Cannabis Sattiva janë sekuestruar nga policia e rrethit të Pukës, ndërkohë që ka rënë në pranga dhe pronari i parcelës që ishte mbjellë në malin e Tërbunit. Forcat e Policisë së këtij rrethi i kishin zbuluar bimën narkotike prej 8 ditësh, por ato nuk është asgjësuar me qëllim gjetjen e autorit të kultivimit. Pas mbajtjes nën kontroll të vazhdueshëm të zonës, operacioni policor është kurorëzuar me sukses pasditen e të mërkurës, kur është bërë dhe arrestimi i kultivuesit të këtyre bimëve. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasi Ardian Laçi është arrestuar në momentin kur po hynte në parcelat e mbjella me Cannabis për të bërë ujitjen e bimëve në një zonë të izoluar nga shkurret që quhet Hamalla e Dedës. Bima narkotike ishte mbjell në dy parcela të cilat nuk ishin shumë larg njëra-tjetrës. I riu i cili vetëm pak muaj më parë ishte kthyer nga Anglia, me tu ndaluar ka pranuar se parcelat e mbjella me kanabis ishin një vepër e kryer prej tij, ndërsa ka pohuar se ai i kishte mbjellë për përdorim vetjak pasi ishte përdorues i rregullt i lëndëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe materialet e tjera të cilat i riu i ka treguar vetë që i përdorte për shërbimet ndaj parcelave të tij si dhe një automatik tip kallashnikov, i cili ishte fshehur në një pemë në afërsi të parcelave me Cannabis. Blutë e Pukës pohojnë se mund të bëhet fjalë edhe për ndonjë bashkëpunëtor të mundshëm në kultivimin e këtyre bimëve. Zbulimi dhe kultivimi i bimëve narkotike në malet e rrethit të Pukës është i parë për këtë verë, ndërkohë që një vit më parë u sekuestruan dhe asgjësuan rreth 6000 rrënjë kanabis në fshatrat e thellë të komunës së Qerretit në rrethin e Pukës.

Gjendet në tunel arsenali i armëve, ishte grabitur në vitin 1997

Hetim për zbulimin e zotëruesve e armatimeve

GJIROKASTËR - Një arsenal i vërtetë municionesh luftarake janë zbuluar mëngjesin e djeshëm në qytetin e Gjirokastrës. Nëpërmjet një komunikate për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës njoftohet se plot 40 predha kundërtank model 69, 200 granata dore mbrojtëse (difensive), 11.180 copë fishekë luftarakë model 56, 200 copë ndezës të këtyre granatave, 12 krehra fishekësh model 56 janë sekuestruar nga policia pas një kontrolli të ushtruar në tunelet e ish-repartit ushtarak “Ish-Brigada e 5-të” në vendin e quajtur Leknjas mbi lagjen SMT të Gjirokastrës. Forcat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ndërmorën mëngjesin e djeshëm, rreth orës 09:30 minuta, pasi policia kishte marrë më parë informacione në rrugë operative. Policia e cilëson sasisë e municioneve luftarake si shumë të rrezikshëm. Konkretisht janë sekuestruar 10 arka druri, në të cilat kishte në çdo arkë 4 predha kundërtank model 69, gjithsej 40 copë predha. 10 arka druri, në të cilat kishte nga 20 copë granata dore mbrojtëse (difensive), gjithsej 200 copë, 10 arka druri në të cilat kishte nga 2 kuti metalike të cilat kishin fishekë luftarakë model 56, gjithsej 10800 copë. 20 kuti plastike ku çdo kuti kishte nga 10 ndezës të këtyre granatave, gjithsej 200 copë ndezës, 12 krehra të mbushur me fishekë model 56, gjithsej 380 fishekë. Sasia e armatimit është transportuar nën masa sigurie për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Policia po punon për të evidentuar dhe kapur poseduesit e mundshëm të këtyre municioneve luftarake. Në fund të komunikatës për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër i bën thirrje edhe njëherë qytetarëve të bashkëpunojnë për evidentimin dhe grumbullimin e të gjithë municioneve luftarake të mbetura që prej vitit 1997, pasi këto municione janë një rrezik potencial për jetën e banorëve.

ARMATIMI
40 perdha kundra tank model 69
200 granata dore mbrojtëse
11.180 copë fishekë luftarak model 56
200 copë ndezësa të këtyre granatave
12 krëhra fishekësh model 56

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›