E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me fondet e bamirësisë, ish-ministri Barka gjykohet veç

Pas disa seancave të dështuara për mungesë të palëve, ka nisur dje gjyqi për shpërdorimin e fondeve në Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar në qytetin e Poliçanit. Të pandehur janë ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka dhe tre të akuzuar të tjerë. Ndër katër të akuzuarit e kësaj çështjeje, i vetmi që ka preferuar të paraqitet në seancë ka qenë Ajli Alushani, ish-ministër Shëndetësie, i cili ka mbajtur postin e kryetarit të bordit drejtues pranë qendrës sociale të Poliçanit. Ai është paraqitur në gjykatë me avokatin e tij, ndërsa tre të akuzuarit e tjerë, përfshi dhe ish-ministrin Barka, janë paraqitur vetëm nëpërmjet avokatëve të tyre. Seanca e radhës e kësaj çështjeje nisi rreth orës 10:00, ku trupi gjykues i përbërë nga treshja gjykuese: Agron Vavla, Berninda Kondi dhe Nazmi Troka, morën në shqyrtim kërkesën e bërë nga avokati i ish-ministrit Barka, që ky i fundit të gjykohet veç të akuzuarve të tjerë. Duke qenë se dosja e kësaj çështjeje është shumë voluminoze, për vetë faktin se ka katër të akuzuar, pala mbrojtëse e ish-ministrit kërkoi që Barka të gjykohet veç të akuzuarve të tjerë, për të shkurtuar kështu kohën e gjykimit. Treshja gjykuese ka pranuar kërkesën e avokatit dhe është vendosur që gjykimi i Barkës të bëhet veç tre të akuzuarve të tjerë, gjë që tashmë do të kërkojë hedhjen e shortit për vendosjen e një tjetër trupi gjykues. Me kaq përfundoi dhe seanca e radhës e çështjes së shpërdorimit të fondeve në Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar në qytetin e Poliçanit. Në gjykim për "shpërdorim detyre" janë ish-ministri Kosta Barka, i cili miratoi dhënien e fondeve qendrës nëpërmjet një shoqate të palicencuar, ish-përgjegjësja e saj Liljana Luani, ish-llogaritari i saj, Demir Ysenbelliu dhe kryetari i bordit drejtues, Ajli Alushani, gjithashtu ish-ministër.

M.Haxhialiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›