E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhte tubat e ujit për skrap, arrestohet

Shkatërron tubacionet e rrjetit të vaditjes së fshatit për të shitur materialin e tyre metalik për skrap, ndiqet penalisht për veprën penale të vjedhjes së pronës shtetërore. Një banor i fshatit Selenicë të Rrethit të Kolonjës është kapur në flagrancë nga policia lokale, duke dëmtuar rrjetin e vaditjes, tubacionet e të cilit synonte t‘i shiste si material për skrap. Pasi është shoqëruar në Komisariatin e Ersekës, 57-vjeçari Edmond Safrati, banor i fshatit Selenicë, ka sqaruar se po e shkatërronte tubacionin me qëllim që të siguronte materialin e tij prej hekuri. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, kur 57-vjeçari është parë duke prishur rrjetin e vaditjes dhe është sinjalizuar policia lokale. Ndërkaq, është vënë në dijeni edhe bordi i kullimit në Korçë, i cili ka në pronësi këtë rrjet si pjesë të investimeve të tij për vaditjen e tokave bujqësore. Mësohet se 57-vjeçari do të ndiqet në gjendje të lirë.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›