E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha firmos mbi monumentin "New born"

Në vijim të vizitës në Kosovë, Kryeministri Berisha u ndal edhe në monumentin që simbolizon lindjen e shtetit të ri të Kosovës "New born". Kryeministri Berisha vendosi firmën e tij në këtë monument së bashku me bashkëshorten e tij. "New born", tri metra i gjatë, një metër i lartë dhe me peshë një ton, u konceptua nga Fisnik Ismajli, 35 vjeç, specialist në fushën multimediale dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke falënderuar Kryeministrin për vizitën, qytetarët e Prishtinës u shprehën se ai e mbajti premtimin për të lënë mbishkrimin e tij mes qindra e mijëra mbishkrimeve të qytetarëve, në shenjë mirënjohje për pavarësinë e Kosovës. Duke përgëzuar krijuesit e veprës, për punën e tyre të mrekullueshme, Kryeministri u shpreh se ky monument ka medaljen e artë në zemrën e çdo shqiptari. Në shenjë nderimi dhe respekti, grupi realizues i dhuroi Kryeministrit Berisha një fotografi artistike të "New born". Monumenti me strukturë prej hekuri është vendosur më 17 shkurt të vitit 2008 në një nga sheshet kryesore të Prishtinës si simbol i pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›