Kryebashkiakët e PS-së takojnë ambasadorët Bosch dhe Lohan
Mbrojtja e autonomisë ishte arsyeja kryesore e takimit të djeshëm të krerëve të bashkive socialiste me përfaqësinë e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. Të zgjedhurit e pushtetit vendor të Partisë Socialiste takuan dje shefin e delegacionit të Komisionit Europian, Helmuth Lohan, dhe kreun e prezencës së OSBE-së, Robert Bosch. Kryetarët e bashkive prezantuan dhe paraqitën para përfaqësuesve ndërkombëtarë të gjitha shqetësimet e tyre në adresë të qeverisë dhe mazhorancës. "Shprehim shqetësimet lidhur me shkeljet flagrante të vazhdueshme që qeveria dhe mazhoranca vazhdon të kryejë në dëm të autonomisë lokale, duke shkelur hapur Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën e Autonomisë Lokale, si dhe ligjin për pushtetin lokal", u shprehën krerët e bashkive socialiste. Ndër të tjera, kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, theksoi se "paraqitëm raste konkrete se si financiarisht buxhetet e bashkisë cenohen, duke arritur në vlera deri në 50% të reduktimit të buxhetit, duke filluar që nga viti i ardhshëm". Ai shtoi se të gjitha shqetësimet e tyre u bënë prezente përpara ambasadorit të Bashkimit Europian dhe në ditët që vijnë do të kenë një takim të dytë. "Bosch shfaqi interesin e tij për ta vazhduar këtë bisedë pranë prezencës së OSBE-së, këtu në Tiranë. Ne vendosëm që t‘i përgjigjemi pozitivisht kësaj ftese dhe vazhduam diskutimin për të shprehur të gjitha shqetësimet dhe për të kaluar edhe në çështje specifike dhe teknike, për të cilat besoj se gjetëm mirëkuptim me Bosch", tha Shkëmbi.
Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri, si dhe deputeti socialist, Eduard Shalsi.
Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri, si dhe deputeti socialist, Eduard Shalsi.