"Pavarësia e Kosovës ishte mrekullia e shqiptarëve"
Kryeministri Berisha, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, u takua me kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Pas këtij takimi, Kryeministri Berisha u shpreh se këto ditë të vizitës në Kosovë ishin nga më të veçantat e jetës së tij dhe se para së gjithash në këtë vizitë Kryeministri shpreh mirënjohjen e tij ndaj udhëheqjes politike të Kosovës, dhe ndaj Haradinaj, për kontributin e tyre të çmuar, të madh dhe historik, në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. "Ky kontribut ka bërë të mundur mrekullinë e shqiptarëve. Mrekullia më e madhe e shqiptarëve në histori pas luftërave të Skënderbeut është pavarësia e Kosovës", tha Berisha. Pavarësia e Kosovës, theksoi Kryeministri, është arritje më eprore në hierarkinë e arritjeve të shqiptarëve në historinë e tyre. Nga ana tjetër, Haradinaj falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e tij në procesin e pavarësisë së Kosovës dhe në procesin e njohjes së saj, si dhe për ndërtimin e aortës së kombit, rrugën Durrës-Kukës.