E Diel, 1 Nëntor 2026

Galeria Kombëtare blen një Safo Marko

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferaj duke marrë parasysh gjendjen e vështirë ekonomike që po kalon familja e shkrimtarit Petro Marko, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare te Arteve në Tiranë, vendosi blerjen e një pikture të Safo Markos, me vlerën 300 000 lekë të reja.


Lajmin e bëri të ditur zyra e shtypit e Ministrit, mbrëmje e të premtes. Ky akt është një lloj ndihme që palët e kanë ekzekutuar bazuar në rregulloren e GKA për blerjen e veprave nga artistë shqiptarë me qëllim pasurimin e koleksionit të galerisë dhe koleksionit personal të artistit.


"Arsyeja e parë është pasurimi i koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve me krijimtarinë e piktores të krijuar pas viteve `90 dhe arsyeja e dytë është ndihma e Shtetit Shqiptar, dhënë në formën e një kontributi financiar prej 300.000 lekë të reja për blerjen e pikturës së Safo Markos. Kjo shumë do t`i kalojë familjes Marko në ndihmë për zonjën Safo Marko e cila po kalon një sëmundje të rëndë", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit.
"Vajzat e Himarës" është titulli i veprës së blerë, teknika vaj në fajazit, realizuar në vitin 1998.


Komisioni vlerësimit artistik i ngritur për vlerësimin e veprave që do të pasurojnë koleksionin e GKA, gjatë vitit 2010, zgjodhi pikërisht këtë vepër si një nga më të mirat e krijimtarisë së Markos pas viteve '90. Asnjë vepër e Markos nuk është blerë në këto njëzet vjet nga GKA. "Kompozimi paraqet një nga temat më të preferuara të piktores që lidhet me subjektin grua, punën e saj në mjedisin e jashtëm dhe hijeshinë e saj fizike. Himara dhe bukuria e femrës së kësaj krahine i ka dhënë titullin veprës, por edhe kahun e shijimit.


Ato kanë frymëzuar artisten, e cila ka kaluar një pjesë të jetës së saj familjare në tokat dhe mjediset e saj shoqërore", thuhet në vlerësimin artistik të veprës.
Safo Marko u lind në Selanik, Greqi 28 Mars 1925. Ajo është një nga artistet e njohura shqiptare, me edukim autodidakt në pikturë, të gjysmës së dytë të shekullit XX. Krijimtaria e periudhës së parë është nga më të njohurat në fushën e ilustrimit në botimet letrare, akademike dhe shkollore.


Gjini të tjera si posteri tematik, panot dekorative dhe tematike, krijimtaria në teknikat e gdhendjes e të shtypit në bardhezi dhe me ngjyra, vizatimit dhe pikturës i kanë dhënë asaj një vend të rëndësishëm në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe në historinë e artit të kësaj periudhe.


Pas viteve `90 nis dhe periudha e saj e dytë, që shënon një krijimtari në "rritje të natyrshme dhe emocionale me kah figurativ, frymë lirike dhe me subjekt njerëzor".

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Galeria Kombëtare e Arteve do të kenë në dispozicionin e tyre një shumë të dytë monetare gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010, e cila do të përdoret përsëri për të njëjtin qëllim.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›