E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me pensionet, nën akuzë denoncuesit

Autori i Lajmit: red.
Dyshmet për abuzimet me pensionet kanë çuar në përplasje dy institucione shtetërore. Skandali i pensioneve në degën e Sigurimeve Shoqërore në Elbasan ka bërë që të konfliktohen dy institucione shtetërore: Drejtoria e Policisë së Qarkut me Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Elbasan. Burime nga policia e Elbasanit bëjnë të ditur se Zyra e Krimit Ekonomik dhe Financiar nisi hetimin në ngarkim të punonjësve në këtë drejtori, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullave të detyrës, për ligjin e Sigurimeve Shoqërore në Republikën e Shqipërisë dhe rregulloren, "përcaktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve". Sipas të njëjtave burime, mësohet se nën hetim janë Fatbardha Arapi, me detyrë kryetare e deges së Përfitimit të Pensioneve në Elbasan dhe katër vartëse të saj: Lavdije Zjarri, inspektore, Ardita Daja, inspektore e pensioneve, Anila Bilbilushi dhe Zhaneta Suli, po inspektore të pensioneve në këtë drejtori. Ndërkohë, punonjëset e akuzuara e hedhin poshtë akuzën e ngritur nga policia. Sipas tyre, në degën e sigurimeve nuk ekziston infrastruktura për të provuar nëse një certifikatë pensionesh është e falsifikuar apo jo. Për të sqaruar situatën, në një konferencë për shtyp këtë fundjavë, kreu i sigurimeve për Qarkun e Elbasanit, Pavllo Jorgaqi, deklaroi se gjatë verifikimit të dosjeve të pensioneve janë konstatuar disa raste me certifikata ku të dhënat janë të ndryshme nga ato të regjistruara në dosjet me të cilat paguheshin këto pensione. "Mes nesh dhe policisë ka një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe korrekt, por dëshiroj që përmes kësaj deklarate të saktësoj se emrat e punonjësve të DRSSH-së Elbasan, të publikuar nën hetim, në fakt janë punonjësit të cilët kanë zbuluar këto shkelje”. Pavllo Jorgaqi, tha se “jemi të gatshëm të hetohen në lidhje me këtë çështje të gjithë punonjësit e DRSSH”. Mësohet se çrregullimet në lidhje me certifikatat janë duke u riparuar dhe nëntë pensionistët që kanë fituar një pension të padrejtë, janë duke kryer veprimet e kthimit të parave të marra padrejtësisht.
Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›