E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfliktet e pronësisë, 600 dosje në gjykatë

Autori i Lajmit: red.
Konfliktet e pronësisë arrijnë në shifra rekord në kryeqytet. Mosmarrëveshjet për të drejtën e pronës kanë çuar në dyert e gjykatës 600 dosje. Për të zgjidhur mosmarrëveshjet e shumta për të drejtën mbi pronën duket se palët në konflikt kanë zgjedhur t u drejtohen togave të zeza. Kështu vetëm gjatë këtij viti, në Gjykatën e Tiranës janë depozituar plot 600 padi pronësie. Burime zyrtare nga organi i gjyqësorit bëjnë të ditur se paditë me objekt pronën janë depozituar pranë sekretarisë së këtij institucioni gjatë këtij viti. Në kërkesëpaditë civile me pretendime mbi pronësinë, palë e paditur janë pjesëtarë të një familjeje ose individë me shtetin, por ka dhe disa raste kur konflikti shfaqet mes personave fizikë dhe kompanive private. Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se si palë në proces në një numër të konsiderueshëm padish është dhe Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave si dhe institucione të tjera shtetërore. Janë depozituar dhe padi mes dy personave të një trungu familjar për pretendime mbi ndarjen e pronësisë, ndërsa janë shqyrtuar një pjesë shumë e vogël e tyre. Sipas të njëjtave burime, si palë në proces në këto padi, në një numër të konsiderueshëm rastesh paraqiten dhe institucione shtetërore. Kështu, Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave, Komisioni i Kthimit të Pronave, KKK Pronave ish-pronarëve, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë apo Bashkia e Tiranës, janë institucionet që janë paditur më shpesh në gjykatë nga persona fizikë e juridikë si dhe nga kompani të ndryshme. Burimet nga gjyqësori konfirmojnë se gati në 90 për qind të rasteve institucionet e lartpërmendura janë paditur në gjykatë nga individë, të cilët pretendojnë se janë kryer parregullsi me pronat e tyre. Pala paditëse pretendon kthimin e pronës ose kompensimin e saj në vlerë monetare. Në rastet e shqyrtuara nga togat e zeza janë pranuar shumë padi duke i dhënë të drejtë palës paditëse, por dhe pas vendimit të gjykatës, shumë persona të shpallur si fitues të gjyqit nuk kanë mundur t u kthehen pronat apo të marrin kompensim. Çështjet, ku si palë në proces janë institucionet shtetërore, janë dosje më të komplikuara si dhe kërkojnë një kohë më të gjatë, jo vetëm për gjykimin e tyre, por dhe për zbatimin e vendimit të gjykatës. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Tiranës, bëhet e ditur se janë shqyrtuar dhe dosje me objekt pronësie midis çifteve të ndara. Numri i këtyre çështjeve është i konsiderueshëm, edhe pse janë pikërisht këto dosje që marrin më shpejt rrugën e zgjidhjes. Konflikti i pronësisë lind pas ndarjes së bashkëshortëve dhe caktimit të kujdestarisë mbi fëmijët. Në shumicën e dosjeve, personi që fiton kujdestarinë pretendon pjesën më të madhe të pronës, edhe pse ajo mund të jetë krijuar para martesës së çiftit. Ndërkohë që një vit më parë, në statistikat e Gjykatës së Tiranës janë shënuar plot 780 dosje me objekt gjykimi të drejtën mbi pronën.

Ligji
Legjislacioni shqiptar parashikon që çështjet e pronësisë të zgjidhen nga nenet 149-231, të cilët parashikojnë se pronarit të sendit i takojnë frutat natyrore që prodhon sendi, përveç kur pronësia e tyre u është kaluar të tjerëve. Në këtë rast pronësia fitohet pasi frutat të jenë ndarë nga sendi. Personi që merr frutat, duhet që brenda vleftës së tyre të shpërblejë shpenzimet e bëra për prodhimin dhe vjeljen e tyre. Ndërkohë për të hapur një padi civile me objekt pronën zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. Ai fillon në bazë të padisë që i bëhet Gjykatës nga një person fizik ose juridik.

PRONESIA
DISPOZITA TE PERGJITHSHME
Neni: 159
Pronari është i lirë në përdorimin e sendit, pa dëmtuar të drejtat e personave të tjerë dhe brenda kufijve që caktohen nga ligji ose nga zakonet e mira. Ai nuk mund t u krijojë fqinjëve shqetësime të tilla si zhurma, dridhje, futje të tymit, nxehtësive, avujve ose përhapje të tjera të ngjashme, të pengojë gëzimin e pronave të tyre, duke ndryshuar rrjedhat, prurjet ose cilësinë e ujërave që rrjedhin në tokën e tij ose të ujërave nëntokësore, si dhe të përdorë ujërat që komunikojnë lirisht me ato të tokës së tjetrit, përveç kur këto shqetësime nuk kalojnë shkallën e zakonshme të tyre. Pronari gjatë ushtrimit të të drejtave të tij, detyrohet të marrë masa për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit përreth.

FITIMI DHE HUMBJA E PRONESISE
Neni: 166
Personi që në bazë të një veprimi juridik për kalimin e pronësisë ka fituar kundrejt shpërblimit me mirëbesim një send të luajtshëm, bëhet pronar i këtij sendi edhe sikur tjetërsuesi të mos ishte disponues i tij. Megjithatë fituesi, qoftë edhe me mirëbesim, nuk bëhet pronar i sendit kur ky është i vjedhur. Fituesi me mirëbesim bëhet pronar i monedhave dhe i letrave me vlerë tek prurësi, edhe sikur këto t i jenë vjedhur ose t i kenë humbur pronarit ose personit juridik publik. Dispozitat e mësipërme nuk zbatohen për sendet e luajtshme që janë të shënuara në regjistrat publikë. Prona fitohet e lirë nga të drejtat e tjetrit mbi sendin, në rast se këto të drejta nuk rrjedhin nga titulli dhe nga mirëbesimi i fituesit.

Precedentë

Janar 2008

Një 40-vjeçar nga fshati Boriç është ekzekutuar nga fqinjët e tij pas një konflikti për pronën. Burime nga policia bëjnë të ditur se Milenko Lekoliç, 40 vjeç, ka mbetur i vrarë vetëm pak metra larg shtëpisë së tij në fshatin Boriç, ndërsa ishte duke udhëtuar me një mjet të mekanizuar që përdoret për punimin e tokës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se 40-vjeçari është qëlluar disa herë me pistoletë nga fqinji i tij, Mark Qerimaj, 56 vjeç, i cili këtë krim e ka kryer në bashkëpunim me dy djemtë e tij, Gjinin dhe Nikën, përkatësisht 33 dhe 17 vjeç. Pasi kanë qëlluar mbi 40-vjeçarin, banor i fshatit Boriç i Vogël në Vrakë të Malësisë së Madhe, ata e kanë ndjekur për disa metra dhe kanë qëlluar dhe mbi 25-vjeçarin Zako Mataloviç, duke e plagosur. Hetimet e policisë kanë vërtetuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive pronësie.

Shkurt 2008
Tre persona dhe kryeplaku i fshtatit Tujan në komunën e Dajtit janë konfliktuar me armë pas një sherri për tokën. Me motivin e ndarjes së një toke midis disa personave të tjerë, ndarje të cilën e kishte kryer kryeplaku i fshatit Tujan, komuna Dajt, Tiranë, tre persona kanë shkuar të armatosur me një çifte dhe janë konfliktuar në banesën e Dashamir Kalasë. Fatmirësisht, ky i fundit u ka shpëtuar tri qitjeve të armës, duke u shpëtuar autorëve për të lajmëruar më pas policinë. Burime nga policia bëjnë të ditur se pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë, janë vënë menjëherë në ndjekje të tre autorëve të dyshuar të ngjarjes. Shumë shpejt, në pranga janë vënë Gentjan Meta, 27 vjeç, Dritan Qefalia, 27 vjeç dhe Fadil Meta, 43 vjeç, të tre lindur dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, tre personat e arrestuar në fshatin Tujan komuna Dajt për motive pronësie, kanë tentuar të vrasin me armë gjahu, çifte, 35-vjeçarin Dashamir Kalaja, kryeplak i fshatit Tujan, komuna Dajt.

Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›