E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekoron kreun e ish-të përndjekurve

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shoqatës Kombëtare të ish-të përndjekurve politikë Antikomunistë të Shqipërisë, dhe autorin e librit "Gjenocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist", Tomor Aliko, me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë. Aliko falënderoi Presidentin e Republikës për dekoratën, duke e kosideruar atë një vlerësim jo vetëm për të, por për të gjithë të përndjekurit politikë të Shqipërisë. “Qëllimi kryesor i veprave të mia është vetëm evidentimi i krimeve të komunizmit dhe kësaj ia kam arritur me disa libra, me dy ekspozita, me filmin e fundit “Gjenocid mbi elitën e kombit shqiptar” dhe jam shumë i kënaqur që kam arritur këtë ditë sot. Megjithatë, me gjithë moshën që e kam të kaluar, premtoj se, në qoftë se do të kem jetë, kam për të bërë dhe një ekspozitë, e cila do të mbetet e paharruar”, - tha ai. Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm familjarë dhe miq të z. Aliko, drejtues dhe përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë dhe të të persekutuarve, si dhe stafi i Presidentit të Republikës.
Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›