E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet për transplante, prokurori serb takon Ina Ramën

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Një përfaqësues i organit të kuzës serbe mbërrin në Shqipëri për verifikimin e akuzave të ish-kryeprokurores së Hagës në lidhje me trafikimin e organeve. Prokurori serb i Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, është takuar dje me kryeprokuroren Ina Rama, me të cilën ka diskutuar në lidhje me akuzat që ngrihen në adresë të vendit tonë në librin “Gjuetia”. Vizita e tyre është pjesë e investigimit të nisur në muajin mars për akuzat e ish-kryeprokurores së Hagës, Del Ponte, në librin e saj Gjuetia , sipas së cilës, serbët e Kosovës janë rrëmbyer dhe janë dërguar në Shqipëri, ku janë vrarë e u janë shitur organet në zonën e Burrelit.
Vizita
Libri i ish-kreut të akuzës së Hagës, Karla del Pontes, “Gjahu”, u diskutua dje në Tiranë mes prokurorit serb Vladimir Vukçeviç dhe kryeprokurores shqiptare, Ina Rama. Libri i Del Pontes hedh akuza të rënda mbi shqiptarët për krime ndaj serbëve. Prokurori serb i krimeve të luftës, Vladimir Vukçeviç, ka mbërritur në Shqipëri për të diskutuar me prokurorët shqiptarë çështjen e trafikut të organeve, akuza këto të ngritura në librin e Karla del Pontes. Vukçeviç është takuar me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Takimi dhe vizita e tij është ndërmjetësuar nga zyra e ambasadës amerikane në Beograd. Prokurori serb shoqërohet dhe nga asistentë të tij gjatë kësaj vizite. Deri tani autoritetet shqiptare i kanë hedhur poshtë këto akuza si të pavërteta. Sipas tyre, nuk është gjetur asnjë provë që dëshmon faktet e supozuara nga Karla del Ponte në librin e saj.
Takimi
Prokurorja e Përgjithëshme, Ina Rama, ka pritur në një takim prokurorin serb të Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili ka mbërritur në Shqipëri së bashku me zëvendësprokurorin e zëdhënësin e tij. Burime zyrtare nga organi qendror i akuzës bënë të ditur se në këtë takim është diskutuar vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta mes dy institucioneve, njëkohësisht dhe ndihma që mund të ofrohet në çështjet e ndërsjella që zhvillojnë të dy prokuroritë. Prokuroria e Përgjithshme bëri prezente gjatë takimit rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët të kryera që në vitin 2005 që kanë zhvillluar hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorë të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi hetuesit e Hagës, së bashku me prokurorët e Matit, arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel, nuk rezultuan të vërteta. Gjatë takimit të zhvilluar dje në Prokurorinë Shqiptare, palës serbe i është sqaruar pozicioni dhe të drejtat procedurale të Prokurorisë Shqiptare, në lidhje me kryerjen e veprimeve të kërkuara për t u kryer nga autoritet serbe në lidhje me këtë çështje.

KB: S ka prova për trafikim organesh

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara nuk kanë gjetur prova se shqiptarët e Kosovës kanë trafikuar organet e serbëve gjatë luftës në Kosovë, ka thënë zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Olga Karvan. Sipas saj, Zyra e Prokurorit dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë zhvilluar hetime dhe kanë vizituar terrenin në veri të Shqipërisë, por nuk kanë gjetur fakte për akuza të tilla dhe, siç tha ajo, nuk ka bazë për vazhdimin e hetimeve. Akuzat janë bërë nga ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, në librin e saj të fundit, në të cilin ajo shkruan se shqiptarët e Kosovës kanë vrarë një numër serbësh, të cilët i kanë transportuar në veri të Shqipërisë dhe më pas kanë shitur organet e tyre. Zonja Del Ponte thotë se i bazon informacionet e saj mbi njoftime të ardhura nga gazetarë, sipas saj të besueshëm. Organizata Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Uatch, i ka nxitur autoritetet e Kosovës të bëjnë hetime lidhur me akuzat e zonjës Del Ponte. Edhe Rusia e Serbia kanë kërkuar hetime për rastin. Autoritetet në Kosovë, ndërkaq, i kanë quajtur këto akuza fabrikime me qëllim të njollosjes së luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›