E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri për tokën, plagosen dy persona

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Konflikti për pronën ka degjeneruar në një sherr mes pesë personave, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë dhe tre janë shpallur në kërkim. Ngjarja e ka zanafillën në një konflikt për një copë tokë në Baldushk, por ka përfunduar me dy të plagosur rëndë, para derës së gjykatës. Pasi ua kanë besuar zgjidhjen e së drejtës mbi pronën togave të zeza, duket se durimit i ka ardhur fundi. Tre vëllezërit Harizi nga Baldushku kanë qëlluar për vdekje, me sende të forta, dy kushërinj nga i njëjti fshat, duke i lënë të plagosur. Ndërsa tre autorët kanë mundur të largohen në kohë nga vendi i ngjarjes, duke u shpëtuar prangave, por tashmë janë shpallur në kërkim.
Ngjarja
Një plagosje e dyfishtë e kushërinjve Petrit dhe Shpëtim Tresa ka ndodhur dje përballë Gjykatës së Tiranës. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se autorët e dyshuar janë identifikuar dhe u shpallën në kërkim. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ata janë Luan, Aleksandër dhe Vladimir Harizi dhe ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Burime në vendngjarje pohojnë se dy të plagosurit me mjete të forta janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku janë në gjendje kome dhe, sipas mjekëve, gjendja e tyre është e rëndë, në rrezik për jetën. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur përballë një lokali tek Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës.
Hetimet
Hetimet e para të policisë, që ka mbërritur në vendin e ngjarjes e njoftuar nga dëshmitarët okularë, kanë arritur në përfundimin se dy kushërinjtë Tresa janë plagosur me sende të forta, me hekur dhe dërrasë në kokë. Burimet nga uniformat blu, që kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, bëjnë të ditur se gjithçka dyshohet se ka ardhur pas një sherri për pronat, mes të plagosurve dhe të dyshuarve për krimin. Sipas të njëjtave burime, mësohet se debati mes tyre ka degjeneruar deri në përdorimin e sendeve të forta, ku dyshime ka se gjatë sherrit janë përdorur edhe thika. Policia ndërkaq ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autorët mësohet të jenë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që policia është vënë në kërkim.

Të dyshuar
Luan Harizi
Aleksandër Harizi
Vladimir Harizi
Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›