Abuzimet me pensionet, pranga tre ish-drejtuesve të Minierës së Priskës
TIRANË - Tre ish-drejtues të Minierës së boksideve në Priskë të Tiranës janë vënë në pranga pasditen e së premtes me akuzën për veprën penale të korrupsionit pasiv, të kryer në bashkëpunim për abuzim në dhënien e pensioneve dhe falsifikim të dokumenteve. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, bënë të ditur dje për gazetën, se personat e arrestuar janë Qazim Laci, ish-drejtor i Minierës së boksideve në Priskë të Tiranës, Fatmir Sulaj, ish-shef kuadri në këtë minierë dhe Rabie Pupla, ish-shefe e seksionit të verifikimit të sigurimeve shoqërore të minierës. Tre të dyshuarit akuzohen për përpilimin e 200 dosjeve false pensionesh në mënyrë abuzive për 200 shtetas që nuk kanë punuar në minierë, por që përfitojnë pensionin e minatorit. Dokumentet në ngarkim të tre të arrestuarve, i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit Gjyqësor të Tiranës për procedim të mëtejshëm.
28 Qershor 2008