Parandalohet vjedhja me dhunë e një automjeti, arrestohet 38-vjeçari
TIRANË - Forcat e policisë së Tiranës parandaluan mbrëmjen e djeshme tentativën e vjedhjes me dhunë të një automjeti duke arrestuar në kushtet e flagrancës autorin e saj. Burime nga uniformat blu të Tiranës thanë dje për gazetën “Albania” se realizuan arrestimin e shtetasit Ardian Kotreli, 38 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për veprën penale të “vrasje në bashkëpunim”, pasi ka tentuar të vjedhë automjetin tip “Benz”, me targë TR 3056 H pranë bulevardit “Zhan D’Ark”. Sipas të njëjtave burime, autori i kësaj ngjarjeje ka goditur me sende të forta pronarin e automjetit, shtetasin Hamdi Bakalli, 47 vjeç, duke tentuar të largohej me makinën e grabitur. Por ndërhyrja e policisë ka qenë e shpejtë çka ka sjellë edhe kapjen e këtij shtetasi. Aktet procedurale për këtë çështje i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë”, vepër e cila parashikohet nga nenet 134 dhe 22 të Kodit Penal.
Oketa, në stërvitjen ushtarake “Adriatik Aurora ‘08” në Kroaci
TIRANË - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ishte i pranishëm dy ditë më parë në stërvitjen ushtarake me temë “Adriatik Aurora ‘08”, me pjesëmarrjen e vendeve të Kartës së Adriatikut, që u zhvillua në Kroaci. Sipas burimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, Oketa ishte i ftuar në këtë aktivitet me ftesë të homologut të tij kroat, Branko Vukelic. Stërvitja “Adriatik Aurora ‘08”, sipas burimeve të mësipërme, synonte trajnimin e njësive në një mjedis shumëkombësh dhe përgatitjen e tyre për të realizuar me sukses detyrat e vëna në kuadër të operacioneve paqeruajtëse.
Presidenti kroat, Stipe Mesiç, i pranishëm në këtë veprimtari, vlerësoi “bashkëpunimin e ngushtë midis Forcave të Armatosura të të dyja vendeve, si një faktor i rëndësishëm jo vetëm në suksesin e kësaj stërvitjeje, por edhe në forcimin e sigurisë në rajon”, - thuhet në informacionin e lëshuar nga MM. Trupat pjesëmarrëse demonstruan situata të ndryshme luftarake, të cilat ishin ndërtuar të përafërta dhe në përshtatje me misionin që kryejnë trupat paqeruajtëse në Afganistan. Në këtë stërvitje, që mbështetej nga partnerët amerikanë nga Vermonti, Nju Xhersi dhe Minnesota, morën pjesë rreth 1800 trupa të Forcave Tokësore nga Kroacia, Shqipëria, Maqedonia dhe SHBA. Forcat tona të Armatosura u përfaqësuan me një personel të zgjedhur nga Batalioni i Dytë i Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe nga forcat xheniere.
28 Qershor 2008