E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria bën gati dosjen për ekstradimin e Sokol Ramajt



Luan Kondi

Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme po bën gati dokumentacionin për ekstradimin e Sokol Ramajt nga Italia. Burime nga organi i akuzës thanë për gazetën se brenda fillimit të korrikut ato do t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas do t’u përcillen homologëve të Drejtësisë italiane. Dosja e Akuzës përmban dokumentacionin e nevojshëm si akuzën që është ngritur ndaj tij, provat që e mbështesin atë dhe dëshmitë e Edvin Zanajt, tani 15 vjeç, më i vogli i vëllezërve Zanaj, që u plagos më 30 nëntor të vitit 2006 në Vlorë, ku nga një atentat mbetën të vrarë Shpëtim Muka, daja i Armando Zanajt dhe një miku i tij, Ervis Shehu.
Kërkesa
Gjithçka ka nisur pas kërkesës që Interpol Romës, ku u kërkohet autoriteteve shqiptare për të dërguar dokumentacionin e plotë për ekstradim. Sokol Ramaj u arrestua gjashtë ditë më parë në Itali me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Deportimi i tij drejt Shqipërisë do të realizohet falë Konventës Europiane mbi ekstradimin, të vitit 1957, nënshkruar në Paris. Po ashtu autoritetet shqiptare duhet të dërgojnë brenda 40 ditëve dokumentacionin e duhur pranë autoriteteve spanjolle dhe italiane të Drejtësisë për ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Autoritetet shqiptare kishin kërkuar ekstradimin e Ramajt nga Spanja, ku ai u arrestua si i dyshuar për atentatin e 25 shtatorit, ku mbetën të vrarë Niko Delaj dhe Slejdi Zanaj, por përgjigjja e spanjollëve ishte negative. Pas mungesës së provave spanjollët e kanë liruar Ramajn dhe prej këndej ky i fundit është vendosur në Itali. Policia italiane e ka vënë në pranga si person të kërkuar nga Drejtësia shqiptare dhe menjëherë kanë njoftuar për përgatitjen e procedurave të ekstradimit.
Kërkimi
Policia e Vlorës, pas ekzekutimit të Shpëtim Mukës e Ervin Shehut dhe plagosjes së Edvin Zanajt mesditën e 30 nëntorit, përveç dëshmisë së pakontestueshme të të plagosurit, ka në dorë edhe një tjetër provë të rëndësishme, kapelën brenda së cilës u gjetën flokët e njërit prej tre pjesëmarrësve në atentat. Menjëherë pas ngjarjes Rokol Ramaj u shpall në kërkim ndërkombëtar. Ekspertët kriminalistë janë treguar të vëmendshëm në këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku kanë administrua të gjitha objektet e gjetura në të. Më pas ata kanë bërë kontroll të imtësishëm në automjetin e braktisur në afërsi të Bunavisë, që mendohet se i përket të dyshuarve si atentatorë. Pas dëshmisë së pakontestueshme të të plagosurit Edvin Zanaj, se ekzekutori i dajës dhe fqinjit të tij ishte Sokol Ramaj, krerët e atëhershëm të policisë lokale deklaruan se dëshmia e Zanajt është një ndihmë e madhe për uniformat blu. Fotoja e Sokol Ramajt iu shpërnda të gjitha policive lokale.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›