E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet banda e vjedhjes së varrezave, 4 të rinj në pranga



KORÇË – Zbulohen dhe vihen në pranga autorët e grabitjeve të varrezave në juglindje të vendit, ku katër të rinj u ndaluan në flagrancë mbrëmjen e së enjtes, teksa vidhnin shina hekuri në afërsi të Kampit të Punëtorëve në Korçë. Ata dyshohen si autorë të vjedhjeve të përsëritura në varrezat e qytetit dhe në objekte të kultit fetar. Burime nga Drejtoria rajonale e policisë bënë të ditur se "adoleshentët, të moshës 16-18 vjeç, të katër banues në qytetin e Korçës, u ndaluan duke vjedhur shina hekuri, ndërkohë që dyshohen si autorë të vjedhjeve në varrezat e qytetit dhe objekte të kultit fetar. Ndërkohë po hetohet në gjendje të lirë për shkak të moshës, 14 vjeçari, P.K., nga Pogradeci". Nga hetimet e policisë, ky grup adoleshentësh rezulton kontigjent edhe për vepra të tjera penale, ndër të cilat vjedhjet e përsëritura në varrezat publike të Korçës, si dhe në disa kisha të këtij rrethi, ku synimi ka qenë vjedhja e pjesëve metalike të kangjellave të varrezave apo këmbanave të kishave për t'i shitur më pas për skrap. Pak ditë më parë u arrestua një 19-vjeçar në qytetin juglindor, i njohur për grabitjen e disa varreve. Vjedhja e tyre bëhet për shkak të materialeve metalike të llojeve të ndryshme, të cilat shiten për skrap tek firmat e ndryshme.

Prangosen dy të rinj, vodhën firmën e pastrimit të Portit

DURRËS – Dy të rinj kanë rënë në pranga pasi kanë grabitur mjediset e firmës së pastrimit të Portit të Durrësit. Burimet zyrtare të Policisë së qytetit bregdetar bëjnë të ditur se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 21.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E.H., lindur në F-Krujë e banues në lagjen Nr. 14 në Durrës dhe Andi Zota, lindur dhe banues në Tirane. Sipas tyre, ndalimi i të miturit 14 vjeçar dhe 19-vjeçarit Zota u bë për arsye se po të njëjtën ditë, rreth orës 15.00, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur pajisje hekuri dhe sende të tjera në ambientet e firmës së pastrimit në Portin e Durrësit.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›