E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr flakë hoteli në katin e 7-të, panik tek qindra pushues



DURRËS - Kati i shtatë i një hoteli në plazhin e Durrësit, i populluar nga një numër i konsiderueshëm pushuesish, është përfshirë nga zjarri mëngjesin e djeshëm, duke shkaktuar për fat vetëm dëme materiale, ndërkohë që një grup hetimor ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje. Burime nga vendngjarja bënë të ditur se "zjarri në hotelin 7-katësh, të quajtur "Kadrisa", i cili ndodhet në sektorin "Iliria", në krahun e majtë të rrugës Ura e Dajlanit- Plepa, ra rreth orës 03:00 të ditës së premte". Forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë që shkuan në vendngjarje, evakuuan të gjithë pushuesit që ishin akomoduar në këtë hotel dhe më pas kanë lokalizuar flakët, të cilat janë shuar rreth orës 04:30. Nga të dhënat e para rezulton se dëmet materiale arrijnë në disa dhjetëra milionë lekë. Mësohet se kati i fundit i hotelit ishte ndërtuar me konstruksion metalik dhe druri dhe shfrytëzohej për festa të ndryshme. Nga hetimet e para, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga ndonjë cigare e hedhur në dysheme nga pushuesit në orët e vona, ose nga ndonjë shkëndijë elektrike. Policia dhe ekspertët e prokurorisë po hetojnë për motivet e rënies së zjarrit.

Ndërtimorët, aksion për prishjen e objekteve pa leje

LUSHNJE - Policia Ndërtimore e Lushnjës ka filluar aksionin për prishjen e objekteve të jashtëligjshme që pengojnë investimet publike në qytet, duke ndërhyrë në ndërtimet pa leje të ndodhura mes bllokut të pallateve në lagjen “Loni Dhamo” të qytetit. Objektet që janë prishur janë mure rrethues, garazhe dhe kioska, për të cilat pronarët e tyre janë njoftuar paraprakisht. Sipas kryebashkiakut Albert Sanxhaku, Bashkia ka vendosur pastrimin e territorit nga ndërtimet e jashtëligjshme në të gjitha lagjet e qytetit. Ndërtimorët kanë hasur vështirësi, pasi një pjesë e mirë e këtyre objekteve janë regjistruar në hipotekë dhe kanë certifikatë pronësie në mënyrë abuzive nga zyrtarë të papërgjegjshëm, duke i shkaktuar një dëm të lartë ekonomik Bashkisë, që tashmë duhet të paguajë koston.

a

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›