Xhon Uidhers: Kanosja ndaj pavarësisë së gjyqësorit, hap prapa
Ambasadori amerikan, rekomandon që, raporti i DASH-it për të drejtat e njeriut, duhet të lexohet me kujdes
TIRANË- I ftuar nga zv-kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në mbledhjen me kryetarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të gjykatave të apelit, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon L. Uidhers, deklaroi se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fort pavarësinë e sistemit gjyqësor, dhe se do të ndihmojnë në çdo mënyrë që munden për ruajtjen e asaj pavarësie.
Ambasadori amerikan, Uidhers, përcolli dje një mesazh te qartë se, Shqipëria duhet t'i përkushtohet mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit, për të siguruar përparimin e saj demokratik.
"Çfarëdo kanosjeje ndaj kësaj pavarësie, është një hap i qartë prapa",- citoi Uidhers gjatë fjalës të mbajtur në mbledhjen me kryetarët e gjykatave.
Duke marrë shkas nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon L. Uidhers, theksoi se bindja e palëkundur amerikane, është që shoqëria duhet të bazohet mbi sundimin e ligjit.
"Një prej dokumenteve më të rëndësishme që ne, qeveria e ShBA-së, nxjerrim çdo vit, është Raporti për të Drejtat e Njeriut i Departamentit të Shtetit.
Është një dokument i peshuar mirë, i shqyrtuar, rishikuar dhe modifikuar me kujdes, në mënyrë që të jetë një reflektim sa më i saktë që mund t'i bëjmë situatës së të drejtave të njeriut për secilin vend të botës. Nëse e lexoni atë dokument, i cili përmban raporte mbi situatën e të drejtave të njeriut të, praktikisht, çdo vendi, mendoj se do të shihni një gjë që bie në sy më shumë se sa çdo gjë tjetër:
Është bindja e palëkundur amerikane, që shoqëria duhet të bazohet mbi sundimin e ligjit. Mund të shihni që ajo temë ishte kyçe në vlerësimin për të drejtat e njeriut që bëri Departamenti i Shtetit për Shqipërinë gjatë vitit të shkuar",- tha ai. Uidhers shtoi se, "pikëpamja e Departamentit të Shtetit, është që aty, duhet vënë theksi në Shqipëri, në mënyrë që demokracia të japë plotësisht frytet.
Është një deklaratë shumë e qartë, është një deklaratë shumë e fortë, dhe ju nxis të gjithëve që nuk keni pasur mundësinë që ta lexoni me kujdes.
Mendoj të gjithë do të shihni që epiqendra e atij raporti është theksi mbi sundimin e ligjit në Shqipëri". Ambasadori amerikan theksoi se, në shumë vende, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa roli që luan gjyqësori në një demokraci.
"Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa besnikëria ndaj parimeve të Kushtetutës. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa ndarja e pushteteve midis dhe ndërmjet degëve të ndryshme të qeverisjes.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa pavarësia e gjyqësorit. Më lejoni të jemi qartë mbi ç'mendoj unë se nënkupton pavarësia e gjyqësorit. Është pavarësia për të vendosur, duke u bazuar vetëm mbi ligjin dhe faktet, të lirë nga presione politike dhe personale", - tha Uidhers.
Duke iu drejtuar pikërisht gjyqtarëve, ambasadori amerikan shtoi se, për ta përmbushur detyrën e tyre, ata duhet të keni kurajë të madhe, për t'u ngritur përpara presioneve, kurajë për të marrë vendime të vështira, bazuar vetëm mbi ligjin dhe provat dhe, ndoshta më e vështira nga të gjitha, kurajë për të çrrënjosur korrupsionin në radhët e tyre.
"Por, përveç të gjitha këtyre, ju duhet të keni edhe aftësinë për të punuar, për të funksionuar, për t'i bërë këto korrigjime brenda radhëve tuaja, pa lënë që ato të shndërrohen në garën midis politikanëve dhe forcave politike.
Është me rendësi të jashtëzakonshme që të mos shihet si i korruptuar sistemi i gjykatave, por vetëm ata individë, vetëm ata pak individë në sistemin e gjykatave, dhe varet nga ju që ta ruani këtë dallim me anë të autoritetit që keni",- tha ai.