E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha s'tërhiqet: Kërkesa për në BE, brenda qershorit

Kryeministri shpërfill vërejtjet e ndërkombëtarëve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut

TIRANË- Kryeministri i vendit, Sali Berisha, pak i ka marrë parasysh sugjerimet e Trojkës Evropiane për të shtyrë aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.


"Nëse ju do më ftoni në shtëpinë tuaj, unë e pranoj ftesën, por nëse në atë moment janë çarë tubat dhe shtëpia noton në ujë, ju nuk do jeni shumë mikpritës", - ishte përgjigja e ministrit të Jashtëm të Çekisë, Karel Schëvarzenberg, si përfaqësues i Trojkës Evropiane, pas takimit me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, të mbajtur pak kohë më parë.


Por, ndryshe nga skepticizmi i dukshëm i europianëve, Kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të bëjë kërkesën brenda presidencës çeke.


"Shqipëria, tani i ka të gjitha rrugët e hapura që, brenda presidencës çeke, të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit.


Se mund të shtyhet pak, është normale. Natyrisht, do të presim sa të thahet pak uji, sepse ne i mirëkuptojmë miqtë tanë, por, brenda presidencës çeke, ne do ta paraqesim aplikimin dhe e meritojmë plotësisht, për faktin se përfundoi tërësisht marrëveshja.


Edhe raporti i Komisionit Europian është i tillë, që jep dritën jeshile tërësisht për Shqipërinë",- tha dje Berisha. Po dje, Kryeministri i vendit ka folur gjatë për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke shpërfillur raportet e të huajve lidhur me vërejtjet që janë paraqitur në këtë drejtim.


"Janë një seri raportesh ndër më seriozet ndërkombëtare, të cilat deklarojnë e zeza mbi të bardhë, se qeveria shqiptare, në tërësi, respekton liritë dhe të drejtat, se qeveria nuk ka ndërhyrë në politikat editoriale të mediave dhe se ajo mund të kritikohet lirshëm publikisht dhe privatisht nga qytetarët dhe se në Shqipëri nuk ka pasur asnjë proces civil apo penal ndaj gazetarëve, standard unik ky në mbarë botën.


Gjithashtu, është respektuar dhe nuk ka pasur asnjë të dëmtuar në protesta, asnjë të lënduar, nuk ka pasur asnjë lloj kufizimi", - tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›