Mungesa e kamerave shton rrezikun në burgun e Fushë- Krujës
Avokati i Popullit
Drejtoria e Burgjeve thotë se kamerat janë, por priten të tjera me cilësi më të lartë. Ndryshe pretendon Dobjani
Mungesa e kamerave të sigurisë në burgun e Fushë- Krujës është bërë precedent i rrezikshëm për shtimin e rasteve të dhunës midis të burgosurve.
Një konstatim i tillë vjen nga Avokati i Popullit pas inspektimi të kryer në këtë burg. Sipas ekspertëve vetëm kohët e fundit ka patur mbi pesë raste të konfrontimit me dhunë në këto ambiente, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Krujës.
Sipas ekspertëve, fondet për blerjen e kamerave të sigurisë, janë lëvruar me kohë dhe vendosja e këtyre pajisjeve duhet të ishte bërë që në tetor të vitit 2008, kohë kur drejtoria e burgjeve ka marrë në dorëzim këtë objekt. Sipas Dobjanit, mungesa e këtyre pajisjeve sjell mundësinë e shtimit të konflikteve mes të burgosurve apo rastet e ushtrimit të dhunës.
Për këtë shkak ai i ka dërguar një rekomandim Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve,pikërisht për këtë çëshjtje.
Nga ana tjetër, burime nga Drejtoria e Burgjeve pohon se kamerat e sigurisë në burgun e Fushë- Krujës nuk është se mungojnë totalisht, pasi ato janë të instaluara, por tashmë po punohet që të vendosen ato të teknologjisë së fundit.
Sipas burimeve zyrtare, brenda një muaji pritet të përfundojë procedura e tenderimit për të zgjedhur firmën fituese që do të instalojë kamerat e sigurisë, për një nga burgjet më të rinj në vend.
Sipas Avokatit të Popullit, një fakt i tillë, nuk përmbush dhe detyrimet ndërkombëtare për sigurinë në sistemin e burgjeve.
Për këtë situatë ai i ka rekomanduar Ministrit të Drejtësisë Enkeled Alibeaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Dibra, instalimin në një kohë të shkurtër të këtij elementi sigurie.
"Ndodhur përpara kësaj situate, gjykojmë se këto vonesa nuk kanë vetëm një kosto në mosrealizimin në kohë të investimeve, por ato kanë një kosto akoma më të madhe e veçanërisht në parandalimin e rasteve të torturës, trajtimit çnjerëzor'',- thuhet në rekomandimin e Dobjanit dërguar Alibeajt dhe Dibrës.
Vendosja e kamerave të sigurisë në ambientet e burgut sjell efekt parandalues në kryerjen e veprave të dhunshme si nga të dënuarit ashtu dhe nga vetë punonjësit e policisë së burgjeve, ndërsa në shumicën rasteve ato janë provë e ngjarjeve në ambientet e sigurisë në burgje.
Arrestimi
Pranga dy të rinjve për vjedhje lokalesh në kryeqytet
TIRANE- Prangosen nga policia e kryeqytetit, dy persona të akuzuar për vjedhje të disa dyqaneve dhe bizneseve të ndryshme në kryeqytet.
Policia iu sekuestron të arrestuarve sende të ndryshme 10 televizorë plazma, një automjet si dhe sende të tjera të cilat mendohet se janë vjedhur në disa lokale dhe dyqane në kryeqytet.
Andi Shkurti, 19 vjeç dhe Ermal M, 17 vjeç, janë arrestuar nga seksioni i hetimit të vjedhjeve ndaj biznesit në policinë e kryeqytetit, me akuzën e "vjedhjes" në bashkëpunim, parashikuar.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, personat e mësipërm, dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh në kohë dhe vende të ndryshme, ndaj disa lokaleve dhe bizneseve në Tiranë.
Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarve iu është dokumentuar implikimi në së paku tri vjedhje të ndodhura në rrugën e Kavajës dhe në rrugën "Komuna e Parisit". Në rrugën e Kavajës, me 31 dhjetor të vitit të kaluar është vjedhur një kafe internet, ndërsa dy muaj më vonë, më 5 shkurt, po në këtë rrugë është vjedhur një lokal i lojërave të fatit, ku janë vjedhur disa televizorë.
I njëjti aktivitet është vjedhur edhe në rrugën "Komuna e Parisit", një ditë më pas, më 6 shkurt. Sipas burimeve të policisë, vjedhjet janë kryer me thyerje ku autorët kanë marrë sende me vlerë duke u larguar më pas. Hetimi i policisë ka zbuluar se autorët të njohur për policinë kishin kryer vjedhjet e mësipërme