E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me pronat, prefektët u drejtojnë gishtin pushtetarëve



Mbledhja e djeshme midis kryeministrit Berisha dhe prefektëve është zhvilluar në një klimë debati mes palëve. Nga njëra anë kryeministri u ka lënë përgjegjësi prefektëve që të merren me një proces tejet të vështirë, siç është ai i verifikimit të titujve të pronësisë; nga ana tjetër prefektët kanë ngritur zërin duke drejtuar gishtin drejt pushtetarëve për abuzimin me pronat. Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura mësohet se prefektët kanë kërkuar më tepër siguri nga shteti për këtë punë. Sipas tyre, përveç vështirësive materiale për të kryer këtë proces, është shumë i vështirë dhe përballimi i presionit, pasi ashtu sikurse e theksoi dhe Berisha abuzimet më të shumta janë bërë nga qeveritarët dhe njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin. Pikërisht për këtë arsye prefektët kanë kërkuar që të mos lihen zbuluar nga qeveria në një proces kaq të vështirë dhe të rëndësishëm për reformën e pronësisë. Po kështu drejtuesit më të lartë të pushtetit vendorë kanë kërkuar nga qeveria më tepër fonde dhe pajisje materiale për të ngritur komisionet vendore për verifikimin e titujve të pronësisë.
Procesi
Vetëm pak kohë më parë Parlamenti miratoi ligjin për verifikimin e titujve të pronësisë. Ky ligj parashikon verifikimin e titujve të pronësisë të fituara në mënyrë të paligjshme dhe marrjen e sanksioneve financiare dhe administrative për të gjithë ata personave që kanë abuzuar me titujt e pronësisë. Sipas ligjit, të gjithë personat që kanë përfituar tokë në mënyrë të paligjshme, duke e zaptuar atë, do të paguajnë një gjobë prej 100 lekësh të rinj për çdo metër katror. Ndërsa personat që kanë falsifikuar dokumentet për të përfituar tokë më shumë seç u takon, ose për të përfituar titull të rremë pronësie, do të gjobiten me 50 mijë lekë. Me këtë proces do të merren komisionet e verifikimit të titujve të pronësisë, që do të ngrihen në çdo rreth të vendit. Dhe përgjegjësit kryesor për mbarëvajtjen e këtij procesi janë pikërisht drejtuesit e pushtetit vendor, duke filluar nga kryetarët e komunave, bashkive dhe prefektët.
Përgjegjësia
Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, ua ngarkoi në përgjegjësi prefektëve ecurinë e këtij procesi. “Në tërësinë e detyrave shumë të rëndësishme që ju keni, ju siguroj se kjo detyrë e re që ju jep ligji, verifikimi i titujve është detyra e të gjitha detyrave, më e rëndësishmja e juaja”, - është shprehur Berisha. Kryeministri solli në vëmendje se nga tetë vitet pararendëse, Shqipëria trashëgoi një kaos të vërtetë të dokumentacionit mbi pronën, i cili e komplikoi së tepërmi çështjen e titujve. Ai deklaroi se abuzuesit më të mëdhenj me pronën janë pushtetarët. “Kaosi për titujt është i lidhur me falsifikimin gjigant që i është bërë titujve, para së gjithash nga njerëz të pushtetit. Mëkatarët e mëdhenj janë pushtetarët e te gjitha niveleve, të cilët bënë çdo gjë për t’u titulluar për vete, diku me 5 apo me 10 hektarë, për raste të caktuara edhe me 100 hektarë toka që s’u kanë përkitur kurrë. Mëkatarët e titujve janë pushtetarët e të gjitha niveleve, të cilët shitën në kundërshtim me të gjitha ligjet toka për të mbushur xhepat e tyre”, - është shprehur Berisha, ndërsa theksoi se është e rëndësishme që prefektët të mos bien pre e njerëzve me pushtet, të cilët mund të bëjnë presione, me qëllim përfitimin e favoreve të paligjshme. “Do t’u bjerë rasti të përballeni me njerëz me pushtet me njerëz që kanë ofiqe, apo të tjerë që i kanë pasur ato në të kaluarën. Do t’u bjerë rasti të përballeni me presione nga më të ndryshmet. Unë ju garantoj se keni të garantuar suksesin në qoftë se qëndroni të paanshëm dhe të vendosur në këtë proces. Njëanshmëria e parë komprometon të gjithë mundësinë tuaj”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›