E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kërcënon opozitën: “Do t’ju nxjerr të palarat”



Insistimit të opozitës për të kërkuar mocion mosbesimi ndaj kryeministrit për lidhjet e tij me trafikantin Fazlliç, Berisha i është kundërpërgjigjur me shantazh dhe presion. Kryeministri Berisha i akuzoi deputetët e opozitës si frikacakë, teksa vetë shprehu gatishmërinë jo vetëm për të pranuar kërkesën për mocion, por edhe për të sjellë Fazlliçin për të dëshmuar para Kuvendit. Por Berisha i akuzoi deputetët e opozitës se kishin frikë nga Damir Fazlliç, madje edhe nga vetë kërkesa e tyre për mocion mosbesimi. Kryeministri u shpreh se kjo po e detyronte që të thyente heshtjen shumëvjeçare. Berisha shantazhoi deputetët e opozitës, duke u thënë se do t’u nxirrte të palarat në Kuvend, që nga fotot, filmimet etj. “Jam i detyruar që të thyej një heshtje që mezi e kam mbajtur. Tani nuk e mbaj dot më. Ju siguroj se kjo do të jetë dita e transparencës. Do të them vetëm të vërtetat, do të sjell fotografi, filma dhe çdo gjë tjetër”, - tha kryeministri Berisha përpara deputetëve të opozitës në Kuvend.
Duke folur për kërkesën për mocion mosbesimi, kryeministri Berisha iu drejtua kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli duke i thënë: “Po të betohem që e pres me kënaqësi mocionin e mosbesimit. Vetëm të përgatitemi për transparencën më të madhe të historisë së këtij vendi”. Kryeministri Berisha tha se ishte i gatshëm që të sillte boshnjakun Fazlliç, por ai tha se opozita kishte frikë prej tij, madje kishte frikë edhe nga kërkesa për mocion mosbesimi. “Dhe kërkoni mocion, dhe nuk thoni mosbesim. Çfarë opozite jeni ju? Nëse doni Fazlliçin të vijë këtu, e sjell këtu. Por ju keni frikë prej tij. Ju keni frikë nga mosbesimi. Nuk është çështja ime”, - tha Berisha.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›