E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Berisha, kryetrafikant armësh në Ballkan”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim e akuzoi kryeministrin Sali Berisha si kryetrafikant armësh. Duke komentuar artikujt më të fundit në shtyp, që provonin lidhjet e Berishës me të arrestuarin Fazlliç, Meta tha se kryeministri Berisha është një ndër trafikantët më të mëdhenj të armëve në rajonin e Ballkanit.
“Pa dyshim që sensibilizimi i madh i mediave këtu lidhur me lidhjet e një personi të ndaluar në Bosnjë, por të parë në shumë ekrane televizive në krah të kryeministrit Berisha, madje edhe të denoncuar nga një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Berishës, zoti Baze, edhe publikisht, tregon qartë se Berisha është tashmë një ndër trafikantët më të mëdhenj të këtij rajoni lidhur me trafiqe nga më të ndryshmet. Dhe, njëkohësisht, lidhje të tilla nuk kanë asnjë shkak që ka të bëjë me integrimin europian apo me ftesën për anëtarësimin në NATO. Pra, janë thjesht lidhje aferash, biznesesh, dhe me sa duket edhe pastrim parash”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Kryetari i LSI-së tha se si rezultat i korrupsionit dhe implikimit të thellë të qeverisë në trafiqe, sot popullsia shqiptare po vuan një varfëri drastike. Meta tha se më shumë se gjysma e shqiptarëve sot jetojnë në varfëri si rezultat i paaftësisë dhe korrupsionit qeveritar. “Por Berisha nuk mund të flasë për këto të vërteta se më parë duhet të sqaroj shkaqet e tyre, paaftësisë dhe korrupsionin ku është zhytur ai dhe qeveria e tij, që tashmë i ka kaluar kufijtë e vendit, duke u bërë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare mafioze e korruptive. Ndaj, përfundimi i mandatit të kësaj qeverie, mundësisht përpara zgjedhjeve të ardhshme, është një kontribut i rëndësishëm për rikthimin e vendit në një normalitet institucional dhe qeverisës”, - tha Meta.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›