E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shpërthen” grupi i PD-së, aleatët jashtë listave për deputetë

Bujar Leskaj: “Pollo dhe Shehu, jo poste drejtuese në PD”. Demokratët kërkojnë të kenë përparësi në hartimin e listave

Eljona Ballhysa
Deputetët e Partisë Demokratike kanë nisur që tani debatin për t’u përfaqësuar në listat për deputetë, ndërkohë që zgjedhjet janë 9 muaj larg. Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së demokratët kanë ngritur zërin duke kërkuar që të kenë përparësi në hartimin e listave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu deputetët kanë kundërshtuar përfaqësimin e drejtuesve të Partisë Demokrate të Re, e cila pritet të shkrihet me PD-në në poste të larta drejtuese.
Debati
Burime nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së kanë bërë të ditur për gazetën se deputeti Bujar Leskaj është shprehur kundër përfshirjes së aleatëve në listat e kandidatëve për deputetë. Leskaj ka kërkuar që partitë aleate të futen në zgjedhje me listat e tyre dhe me kandidatët e tyre. Sipas tij, Partia Demokratike duhet të ketë listën e saj dhe të mos përfshijë në këtë listë asnjë emër të aleatëve. Ai madje ka shtuar se përparësi duhet t’u jepet individëve me kontribute në parti dhe që kanë sjellë rezultate. Ndërsa personat me rezultate të dobëta nuk duhet të përfshihen aspak në këto lista. Leskaj mësohet t’i jetë drejtuarit kreut të partisë se s’duhet të pranojë presionin që ushtrojnë aleatët me kërkesa të vazhdueshme, por duhet t’u japë përparësi demokratëve. Ai gjithashtu ka kundërshtuar, sipas burimeve, kërkesat për ribashkim të reformatorëve dhe përfaqësimin e tyre me poste drejtuese në PD, ose edhe me karrige në kryesinë qendrore të partisë. Mësohet se deputeti vlonjat është shprehur se shumë individë, anëtarë të PD-së, kanë vite që kontribuojnë për partinë dhe nuk arrijnë t’i marrin këto poste të rëndësishme, ndaj dhe aleatëve nuk duhet t’u falen postet. Burimet nga Grupi Parlamentar i PD-së kanë bërë të ditur se kryeministri Berisha e ka mbështetur deri diku deklaratën e Leskajt. Ai ka bërë të ditur se të gjitha marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i ardhshëm me aleatët do të diskutohet nga strukturat e partisë. Por Berisha u ka kërkuar deputetëve që të mos i shohin aleatët si armiq.
Spiunët
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së ka pasur dhe një kërkesë nga dy deputetë të kësaj partie për miratimin sa më parë të ligjit për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist. Madje deputetët Rexhep Uka dhe Ndriçim Babasi kanë kërkuar që edhe individët që rezultojnë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, që mbajnë mandate deputetësh në PD, të mos lejohen të kandidojnë sërish për deputetë. Kryeministri Berisha, nga ana e tij, është shprehur se maxhoranca do ta miratojë ligjin, por aktualisht po presin që edhe opozita të japë konsensusin, në mënyrë që ligji të jetë afatgjatë dhe të mos ndryshojë me largimin e PD-së nga pushteti.
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit Berisha ka dënuar tentativat për rehabilitimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha në 100-vjetorin e lindjes së tij. Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste që të distancohet nga aktivitetet e këtij lloji.

7 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›