E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me tokat në Kashar, dosja për gjykim

Autori i Lajmit: red.
Përfundojnë hetimet për abuzimet me pronat në Kashar. Dosja voluminoze është depozituar dje në Gjykatën e Tiranës ku pritet që shorti elektronik të përcaktojë treshen gjykuese. Rreth 2 mijë fletë për 10 të pandehurit e operacionit të koduar “Kashari” do të shqyrtohen nga togat e zeza duke filluar gjykimin javën e ardhshme. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se pjesë e fashikullit të gjykimit janë 70 depozitimet e banorëve të Kasharit, të cilët akuzojnë drejtuesit dhe ish-drejtuesit e komunës Kashar për abuzime, falsifikime dhe mbivendosje pronash. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në materialin prej 2 mijë fletësh, në fashikujt hetimorë ndodhet edhe dëshmia e banorit të vrarë në Kashar, Gani Kamberi, i cili denoncoi mashtrimet dhe shitjen e mbi 30 mijë metër katrorë pronë të tij. Sipas akuzës, viktima Kamberi ishte një ndër denoncuesit e parë dhe që ka ndihmuar me dëshminë e tij akuzën, e cila ka mundur të faktojë e dokumentuar sipërfaqen e tokës së shitur disa herë. Në dosje ndodhet edhe akti vlerësues për sipërfaqet e tokës së shitur dhe masën e abuzimeve nga kryekomunarët dhe të pandehurit e tjerë. Fillimisht u arrestua ish-kryekomunari Faik Fejzo, i cili dyshohet se ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme toka bujqësore, ka abuzuar me lejet e ndërtimit etj., gjatë kohës që ushtronte mandatin e kryetarit të Komunës së Kasharit. Denoncimi, sipas burimeve, është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në polici, pas kontrollit të bërë në dokumentacionin e kësaj komune në periudhën kohore 2000-2007, ku kanë rezultuar abuzime mjaft të mëdha, ndërkohë që të përfshirë në to rezultojnë tre kryekomunarë, ky aktuali, Alfred Sulaj si dhe dy të mëparshmit, Faik Fejzo dhe Naim Karaj. Raporti i KLSH-së iu vu në dispozicion Drejtorisë së Krimit Financiar, e cila bashkëpunoi në verifikimin e gjithë materialit me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku rezultuan mjaft mbivendosje pronash, pra një pronë me firmë të kryekomunarëve rezultoi e shitur te disa persona. Prokuroria ka veçuar nga personat e arrestuar të pandehurin Ilir Sulaj, 33 vjeç, me detyrë shofer i kryeplakut të komunës Kashar, i cili akuzohet vetëm për “armëmbajtje pa leje” dhe është dërguar në gjykatë më vete për gjykim.
Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›