E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis hetimi për aksidentet në miniera

Autori i Lajmit: red.
Nisin hetimet për aksidentet në minierat e vendit. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur dje shqyrtimin e rasteve mbi aktivitetet e paligjshme në objektet minerare të mbyllura. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se verifikimet mbi këto çështje kanë marrë shkas nga kërkesa zyrtare e depozituar para katër ditësh pranë Prokurorisë së Përgjithshme nga Ministria e Ekonomisë, cila kërkoi bashkëpunim në hetimin e tyre. Të njëjtat burime pohojnë se kërkesa për një hetim të tillë vjen pas aksidentit javën e kaluar në minieren e kromit në Bulqizë, ku si pasojë e shembjes së një masivi kromi, humbi jetën një minator, ndërsa u plagosen tre të tjerë. Mësohet se grupi i Inspektim-Minierave, gjatë inspektimit të kësaj ngjarjeje doli në konkluzionin se aksidenti ndodhi për shkak të mosrespektimit të masave të sigurimit teknik. Ndërkohë një ditë më pas, një tjetër minator ka humbur jetën në galeritë e minierës, por ende nuk është hedhur dritë mbi shkaqet e incidentit. Ndërkohë policia e Bulqizës ka marrë në pyetje administratorët dhe shefat e sigurisë së minierës private në Batër ku ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën minatorit Mehmet Rama. Minatori ishte duke kontrolluar me levë tavanin e galerisë ku do të punonte, në atë që minatorët e quajnë front steril, kur masa e kromit e ka zënë nën vete. Sipas statistikave, mësohet se vetëm gjatë 12 muajve të fundit kanë humbur jetën në galeritë e kromit 13 minatorë.
Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›