E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndëshkim avokatëve që shtyjnë seancat gjyqësore

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma e Avokatisë pritet të marrin masa ndaj avokatëve që nuk paraqiten në seanca gjyqësore. Kërkesa për masat disiplinore është bërë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi proceset gjyqësore në këtë organ mbahen peng nga pala mbrojtëse. Burime nga organi i gjyqësorit bëjnë të ditur se kanë përpiluar një listë me avokatët që kanë munguar rregullisht në seanca duke zvarritur kështu proceset.
Kërkesa
Avokatët që mbajnë peng seancat gjyqësore do të ndëshkohen pas një relacioni të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku kërkohet ndëshkimi i tyre. Burime nga gjykata bënë të ditur se do të njoftojnë organet kompetente për të marrë masa për të gjithë avokatët që nuk paraqiten në sallën e gjyqit në datën dhe orën e paracaktuar për zhvillimin e seancës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se avokatët shrytëzojnë faktin se në këtë gjykatë dosjet janë me një numër të konsiderueshëm të pandehurish dhe mungesa e vetëm njërit prej avokatëve detyron togat e zeza të shtyjnë seancën menjëherë pas verifikimit të palëve. Mbrojtësit e të dyshuarve për krime të rënda mungojnë në seanca në bazë të një “grafiku”, i cili bën më pas të pamundur vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor. Por togat e zeza kanë paralajmëruar dhe të pandehurit se, në rast mungese të përsëritur të avokatëve, do të mbrohen vetë gjatë shqyrtimit gjyqësor. Nga ana tjetër, avokatët pretendojnë se kanë përplasje oraresh të gjyqeve dhe se janë të detyruar të paraqiten në seancën që kanë në shkallën më të lartë të gjyqësorit.
Seanca
Dje nuk është zhvilluar asnjë prej proceseve të parashikuara në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Të gjitha proceset janë shtyrë për një datë tjetër për shkak të mungesës së avokatëve. Kështu togat e zeza u kanë bërë të ditur gjashtë të pandehurve të dosjes “Go Uest” prezentë në sallë, por edhe avokatëve të tyre mbrojtës, që edhe në rast se do të mungojë një prej dy avokatëve të zgjedhur nga i akuzuari për seancat gjyqësore, atëherë procesi do të vazhdojë vetëm në praninë e tij. Pjesa më e madhe e të pandehurve kanë nga dy avokate dhe, sipas ligjit, ata duhet të jenë të pranishëm në çdo seancë. Por në rast kur ka munguar një prej tyre, i akuzuari ka kërkuar mbrojtjen pikërisht nga avokati që nuk ishte prezent duke sjellë për pasojë edhe shtyrjen. Gjithashtu, seancat në ngarkim të 17 të pandehurve të "Bandës së Durrësit" janë shtyrë në dy datat e fundit.

Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›