Abuzimet me tokat në Ndroq, Prokuroria shqyrton kallëzimet për kreun e komunës
TIRANË - Prokuroria e rrethit gjyqësor të Tiranës mori dje në shqyrtim materialet denoncuese në ngarkim të dy funksionarëve të komunës së Ndroqit, të cilët akuzohen për abuzime me detyrën, lidhur me procedurat për regjistrimin e tokave. Lajmi u konfirmua për gazetën “Albania” nga burime pranë kësaj Prokurorie, të cilat pohuan se grupi hetimor po verifikon aktet procedurale të përgatitura nga policia ndaj Kryetares së Komunës së Ndroqit, Fatime Goga, 51 vjeç dhe sekretares së komunës, Irena Trimi, 25 vjeç. Sipas burimeve të sipërcituara, nëse hetuesit do të konstatojnë elementë të mjaftueshëm të veprës penale në këto materiale, atëherë prokuroria do të nisë zyrtarisht procedimin penal, duke i hapur kështu rrugë hetimit për çështjen në fjalë. Nga të njëjtat burime mësohet se dy funksionaret e kësaj komune dyshohen se gjatë muajve të fundit nuk kanë kryer procedurat e regjistrimit dhe kërkesë-ankesat e disa banorëve të kësaj komune mbi pronësinë e tokës.
Vrasja Shullanit, Akuza kërkon burg për jetë për tutorin Lazaj dhe 9 vjet për prostitutën bashkëpunëtore
TIRANË - Prokuroria kërkoi dje nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, dënimin me burgim të përjetshëm për njërin nga dy të akuzuarit si autorë të vrasjes së shtetasit Gëzim Shullani, disa muaj më parë, në Tiranë. Gjatë seancës së sotme, Prokuroria paraqiti konkluzionet përfundimtare të hetimit për të pandehurit e kësaj çështjeje, Petrit Lazaj dhe Albana Zenelaj, përkatësisht 38 dhe 37 vjeç. Përfaqësuesi i prokurorisë së Tiranës kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me burg për jetë për të pandehurin Lazaj, si autor i krimit, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij Zenelaj kërkoi dënimi me 9 vjet burg. Në seancën e radhës, pritet të dëgjohen pretendimet e palës mbrojtëse dhe më pas Gjykata do të shpallë vendimin përfundimtar për dy të pandehurit e këtij procesi. Petrit Lazaj dhe Albana Zenelaj u arrestuan disa muaj më parë si autorë të vrasjes me sende të forta, për qëllime grabitjeje, të shtetasit Gëzim Shullani. Krimi ndodhi mëngjesin e 3 marsit të këtij viti, në një godinë të braktisur në rrugën e “Durrësit” në Tiranë.
Grinden adoleshentët, nxjerrin thikat, një përfundon në spital
Tiranë - Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, kanë marrë njoftim dje se ka shkuar i plagosur në Spitalin Ushtarak Tiranë, 16 - vjeçari Jani Shima, lindur e banues në Tiranë. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, nga ku rezultoi se në rrugën “Tanush Frashëri”, në afërsi të lokal “Atletik”, pas një konflikti për motive të dobëta, është goditur me thikë nga shtetasi A. M., 14 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.
23 Shtator 2008