Zbardhet mekanizmi si do të zbatohen dënimet alternative
Laureta Rryçi
Tiranë - Ministria e Drejtësisë zbardh skemën se si do të zbatohen dënimet alternative. Projektligji i hartuar pak kohë më parë nga specialistët e kësaj ministrie tashmë ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të kalojë për votim nga ky institucion. Sipas këtyre specialistëve do të krijohet një organ shtetëror që do të marr emrin Shërbim i provës. Drejtuesit e këtij institucioni do të kenë si detyrë të mbikëqyrin ekzekutimin e dënimin alternativ. Projektligji kaloi pa shumë diskutime në Komisionin e Ligjeve dhe pritet që të jetë një ndihmesë e madhe për të gjithë gjyqtarët që kanë muaj që japin dënime alternative. Sipas statistikave një i burgosur i kushton shtetit 55 857 lekë në muaj. Specialistët me përllogaritjet e tyre kanë thënë se në një vit nga dënimet alternative mund të përfitojnë rreth 400 persona.
Mekanizmi
Sipas specialistëve mekanizmi mbi ekzekutimin e dënimeve alternative do të kalojë në një proces zinxhir që nis me vendimin e gjykatës. Në projektligj është përcaktuar që Gjykata, para dhënies së një dënimi alternativ, duhet të kërkojë një raport paraprak nga shërbimi i provës. Ky raport duhet të identifikojë dënimin e duhur alternativ për personin, për riintegrim në shoqëri dhe parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale. Gjykata kur të vendosë pezullimin e vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me një dënim alternativ, duhet të dërgojë menjëherë prokurorit vendimin për ekzekutimin e këtij dënimi alternativ. Në qoftë se personi i dënuar është i burgosur, gjykata dërgon një kopje të vendimit në institucionin e ekzekutimeve të vendimeve penale, ku mbahet i dënuari për lirimin e tij. Kur gjykata vendos revokimin e dënimit alternativ, personi i dënuar dërgohet për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Gjykata merr vendim brenda shtatë ditës nga data e marrjes së kërkesës së prokurorit dhe vendimi i njoftohet personit të dënuar, mbrojtësit të tij, shërbimit të provës dhe prokurorit.
Dënimi me punë
Ekzekutimi i vendimit me punë për interes publik mund të pezullohet për shkak të sëmundje së papritur të personit të dënuar, që kërkon trajtim mjekësor dhe e pengon atë kryejë punën që i është lënë me detyrim. Pezullohet në ato raste kur ka vdekje të një anëtari të familjes, si dhe për arsye të tjera të jashtëzakonshme. Në këto raste i dënuari duhet të paraqesë një kërkesë te shërbimi i provës. Më pas ky detyrim ndërpritet derisa gjykata të shprehet mbi kërkesën për pezullim. Në dispozitat e reja është parashikuar dhe rastet kur mund të jepen gjysmë liri dhe qëndrim në shtëpi. Në këto raste, pas vendimit të gjykatës, do të jetë shërbimi i provës që do të përcaktojë një program ditor që duhet të zbatojë personi i dënuar dhe do të mbikëqyret zbatimi i tij.
Institucioni më i ri, shërbimi i provës
Shërbimi i provës do të jetë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës e do të organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme do të jetë në ministri dhe do të përbëjë nivelin qendror, ndërsa zyrat vendore do të veprojnë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Rregullat e hollësishme që do të vënë në lëvizje këtë organ shtetëror do të mirëpërcaktohet me detaje në rregulloren e brendshme të Ministrisë së Drejtësisë. Në praktikën e vendeve të tjera, zbatimi i dënimeve alternative ka ndikuar në uljen e fenomenit të mbipopullimit nëpër burgje. Porsa i përket personelit të shërbimit të provës ai do të organizohet në rangun Drejtorisë së Përgjithshme ku parashikohen Drejtori i Përgjithshëm, 15 drejtorë rajonal, 24 specialistë në rang kombëtar, dhe 10 persona personel mbështetës.
23 Shtator 2008