“Paralizohet” Gjykata e Gjirokastrës, avokatët braktisin gjyqet për kolegun
Gjirokastër - Në një letër zyrtare drejtuar autoriteteve më të larta të vendit, duke nisur nga presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit, ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm, Avokati i Popullit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe prokurorja e Përgjithshme, avokatët kanë kërkuar që të rivendoset normalitet dhe të vihen përpara përgjegjësisë “autorët monstruozë që guxuan të organizonin këtë ngjarje të shëmtuar”.
Revolta
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka reaguar ashpër ndaj ngjarjes ku një grup punonjësish të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të armatosur dhe me maska, kanë ushtruar dhunë psikike në publik ndaj avokatit Bernard Aliko. Në deklaratën e avokatëve thuhet se Bernard Alikos i janë vënë prangat pa asnjë shkak ligjor dhe pa prezantuar asnjë arsye ligjore duke e shoqëruar këtë veprim, i cili ka zgjatur rreth 15 minuta, me anën e një represioni të pashembullt nga ana e këtyre punonjësve të Policisë. Duke shpjeguar të gjithë ngjarjen në fjalë Dhoma e Avokatëve shpjegon se me gjithë reagimin e kolegëve të tyre në Gjirokastër sërish drejtuesit e Policisë së Gjirokastrës nuk kanë reaguar. Për pasojë Dhoma e Avokatëve u ka kërkuar institucioneve më të larta të marrin masa, ndryshe do të bojkotojnë të gjithë veprimtarinë e tyre në gjykata, që lidhet me fushën e mbrojtjes dhe asistencën ligjore. Një veprim i tillë deri tani është ndërmarrë vetëm nga avokatët e Gjirokastrës.
Ngjarja
Gjithçka e ka zanafillën më datën 5 shtator kur forcat e Policisë, gjatë një kontrolli, shoqëruan dhe mbajtën në komisariat për 15 minuta avokatin Bernard Aliko. Shoqërimi i mbrojtësit ligjor u bë ndërsa kërkohej një tjetër person. Pas ngjarje vetë avokati Aliko ngriti një padi në prokurori ku kërkoi dorëheqjen e drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, duke e quajtur prangosjen e tij një akt të papërgjegjshëm. Megjithatë, deri më sot nga institucionet më të larta të vendit nuk ka asnjë reagim lidhur me akuzat apo dhe bojkotimin e seancave gjyqësore në rreth për shkak të avokatëve.
Ndërkohë në Gjykatën e Gjirokastrës po vijnë për vijimin e gjyqeve gjyqtarë të Sarandës, ndërsa bëhet e ditur se mbi 70% e gjyqeve vazhdojnë të shtyhen. Kryetari i Gjykatës së Faktit në Gjirokastër, si dhe ai i Apelit, janë shprehur se bojkotimi nga ana e avokatëve ka shkaktuar shumë probleme me zhvillimin normal të punës në sistemin e drejtësisë.
23 Shtator 2008