Ndalohet 27-vjeçari për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike
VLORË - Policia e Vlorës ndaloi dje një 27-vjeçar, i cili dyshohet se i ka shitur një bashkëmoshatarit të tij një sasi lënde narkotike të llojit heroinë. Denis Fano u prangos ditën e hënë, në bazë të një vendimi të gjykatës. Ngjarja për të cilën akuzohet Fano ndodhi në 25 qershor të këtij viti, kur policia ndaloi të rinjtë, Krenar Dyrmishi dhe Emiliano Dimo, të cilët u kapën me doza lëndësh narkotike, të llojeve të forta.
Mbivendosja e pronave, shkaku i zvarritjes së proceseve
KUKËS - Mbivendosja e pronave është shkaku kryesor i zvarritjes së zgjidhjes së problemit të kthimit të pronave. Pranë Gjykatës së rrethit të Kukësit zhvillohen mesatarisht rreth 7 gjyqe në muaj, të cilat shtyhen thuajse pambarimisht e që në një masë të madhe pengojnë zgjidhjen përfundimtare të problemit. Përgjegjësi i zyrës rajonale të Kthimit e Kompensimit të Pronave, Xhafer Spahiu, tha se "problemi mbetet ende i pazgjidhur në Bashkinë e Bajram Currit, ku evidentohet një numër i madh seancash gjyqësore për problemin se kujt i takon pronësia".
Hetohen dy firma për shfrytëzim të paligjshëm të shtratit të Shkumbinit
PEQIN - Pas një kallëzimi të bërë nga kryetari i komunës, Përparim, të Peqinit, Agim Xhaja, policia filloi dje hetimet ndaj subjekteve “Z....” dhe S.....”, të cilat akuzohen se kryejnë aktivitet të paligjshëm në shfrytëzimin e inerteve në shtratin e lumit Shkumbin. Burime të policisë bënë të ditur se këto dy subjekte "kanë kryer aktivitet të paligjshëm" pranë fshatit Uruçaj, të qytetit të Peqinit, duke shkaktuar dëme në banesat që ndodhen shumë pranë atij vendi. Sipas të njëjtit burim, grupi hetimor po punon për të përcaktuar elemente të veprave penale të kryera nga dy subjektet.
Konflikti, plagoset me armë zjarri 24-vjeccari
LUSHNJE - Një 24 vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë nga bashkëfshatari i tij për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në fshatin Cermë të Lushnjes ku Dorian Muça u qëllua me armë nga Artur Tushe. Pas dëgjimit të krismave, menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar autorin ndërsa është dërguar në spital i plagosuri.
Gjendja e rëndë shëndetësore e 24 vjeçarit ka sjellë që mjekët e Spitalit të Lushnjes të kërkonin ndihmë nga Spitali Ushtarak. Kështu Dorian Muça është sjellë me urgjencë në spitalin e kryeqytetit ku edhe është duke marrë ndihmë mjekësore. Sipas bluzave të bardha gjendja të plagosurit është e rëndë dhe ka rrezik për jetën. Ngjarja e ndodhur në orët e vona të darkës mësohet të ketë ndodhur për motive të dobëta ndërsa policia është duke marrë në pyetje autorin.
23 Shtator 2008