E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohet 23-vjeçari, ra viktimë e grabitjes



DURRËS – Një djalë 23-vjeçar është masakruar pranë banesës së tij nga një bashkëmoshatar i tij, i cili edhe e ka grabitur duke u larguar në drejtim të paditur. Ngjarja ka ndodhur katin e dytë të një banese në sektorin “Iliria” të Plazhit të Durrësit, te Lagjja nr. 13. Burime policore bënë të ditur se 23-vjeçari E. E., me banim në Lagjen nr. 14, po në Plazhin e Durrësit, gjendej në orën 09:00 të tri ditëve më parë pranë një banese tek “Iliria” kur befas është goditur me sende të forta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
I dëmtuari kallëzoi se ka qenë një person në moshë të re me të cilin nuk kishte njohje të mëparshme, i cili e ka masakruar, duke i shkaktuar dëmtime të cilat u klasifikuan në kategorinë e plagosjes së rëndë”, - sqaroi policia. Ajo shtoi se të dëmtuarit i është grabitur pas ushtrimit të dhunës së egër, shuma prej 300 mijë lekësh që 23-vjeçari kishte me vete.
Shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Durrës, në kuadër të punës hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, konfirmuan dje se bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të saj dhe u bë shpallja në kërkim, ndërsa po punohet për kapjen e të dyshuarit. Ndërkohë, i dëmtuari, pasi mori mjekimin në Spitalin e Durrësit, u largua për në banesë, jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me ngjarjen, hetohet për veprën penale të vjedhjes me dhunë dhe dosja i ka kaluar për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Statistikat, këtë vit 50 për qind më pak zjarre në Elbasan

ELBASAN - Masat e marra nga Policia e Mbrojtjes Ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit (PMNZSH), në Elbasan kanë përgjysmuar rastet e zjarreve krahasuar me një vit më parë. Shefi i këtij shërbimi, Aleksandër Hodo, tha se "gjatë periudhës qershor-shtator të këtij viti u evidentuan 320 vatra zjarri, ndërsa vitin e kaluar u konstatuan 804". Në 28 raste dëmet ishin të konsiderueshme, dhe në një rast me pasojë vdekjen. Sipas z. Hodo në shumicën e rasteve, zjarret janë vënë qëllimisht. Policia ka arrestuar si zjarrvënës 10 persona.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›