E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanët bëhen administratorët e rinj të shoqërisë së telefonisë “AMC”



Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij të djeshme, miratoi autorizimin e
përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të vetëm në shoqërinë
“Hellenic Telecommunication Organization SA (OTE)” nga shoqëria “Deutsche Telecom”. Me anë të kësaj kontrate, transaksioni paraqitet si përftim kontrolli i drejtpërdrejtë i “DT”-së në “OTE”. Ndërkohë kjo kompani fiton kontroll të tërthortë mbi shoqërinë e telefonisë së lëvizshme, “Albanian Mobile Communication” (AMC), ku “OTE” zotëron aktualisht 82 për qind të aksioneve nëpërmjet “Cosmote Group”. Me realizimin e këtij transaksioni, DT synon të zgjerojë tregun e komunikimit të telefonisë, kryesisht të telefonisë së lëvizshme; të rrisë shërbimet e internetit në telefoninë e lëvizshme etj. Në këtë mënyrë pritet që të përmirësojë konkurrueshmërinë edhe në tregun kombëtar. “OTE” është e pranishme në tregun e brendshëm, indirekt, për shërbimet e telefonisë së lëvizshme, nëpërmjet kontrollit të filialit kryesor “Cosmote”, te shoqëria “AMC sh.a.”. Transaksioni i synuar prek industrinë e telekomunikacionit, por realizimi i tij nuk sjell mbivendosje të shërbimeve fikse apo të lëvizshme, mbasi palët pjesëmarrëse nuk kanë pjesëmarrje të kryqëzuar në tregjet gjeografike edhe përsa i përket kontrollit në filialet e tyre apo në shoqëri të tjera dhe nuk kanë klientë të përbashkët, pra nuk shkakton kufizim të konkurrencës. Transaksioni që realizon përftimin e kontrollit influencues të operatorit strategjik “DT” në “OTE”, nëpërmjet ndryshimit të politikës së drejtimit, zhvillimit të teknologjisë dhe inovacioneve, pritet të rrisë konkurrueshmërinë në tregun e telefonisë në përgjithësi dhe indirekt në veçanti, edhe në Shqipëri për telefoninë e lëvizshme.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›