E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me tokën, 2180 raste në Himarë

"Të rivendosim të drejtën me pronën atje ku është abuzuar". Kjo ka qenë kërkesa e parë e bërë nga Presidenti Topi në Himarë, si në këshillin bashkiak të këtij qyteti edhe në fjalën e mbajtur në konferencën për prioritetet e zhvillimit të bregdetit të jugut. Ai është shprehur që qeveria të përmirësojë kuadrin ligjor, me qëllim që çështjet e pronësisë të marrin zgjidhjen përfundimtare. Ky ka qenë një nga problemet e bëra prezent edhe në mbledhjen e këshillit bashkiak. Por Presidenti Topi ka vërejtur se "Ky problem nuk ekziston vetëm në Himarë, pasi situata të ngjashme gjen në tërë territorin shqiptar". Ai ka kujtuar se rreth kësaj çështjeje delikate dhe të lidhur ngushtë me zhvillimet turistike dhe ato ekonomike në tërësi, është zhvilluar një debat që ka përfshirë ekspertë dhe forca politike dhe më 2008 është arritur në një opinion të përbashkët se duhen vënë në vend gabimet. "Janë bërë gabime që mund t‘i konsiderojmë të lidhura me kohën kur u bë ky ligj, me përgatitjen profesionale dhe intelektuale të kohës", u shpreh Bamir Topi lidhur me ligjin 7501. Nga ana tjetër, ai ka thënë se është e pafalshme të abuzojmë me ligjin në fuqi ose me kuadrin ligjor dhe kjo është arsyeja që institucioni i Presidentit ka inkurajuar iniciativën ligjore dhe veprimin e institucioneve të tjera të specializuara. Janë bërë shumë debate publike dhe politike në rreth 20 vjet, por problemi i pronësisë nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare, megjithëse është një çështje bazale. "Nuk ka shanse të zhvillojmë turizmin e perspektivës, pa u konsoliduar dhe pa marrë zgjidhje çështja e pronës", u shpreh Topi. Nisur nga kjo, Presidenti i Republikës është shprehur për rivlerësimin e të gjitha pronave që janë marrë në mënyrë abuzive, të cilat vetëm në Bashkinë e Himarës, kapin shifrën 2180. Ai tha se ka inkurajuar rishikimin e të gjithë titujve pronësorë të marrë në mënyrë abuzive dhe u shpreh qartazi se nuk pranohet të kalojë edhe një 10-vjeçar tjetër duke u marrë me këtë çështje. Lidhur me perspektivën e zhvillimit të bregdetit në tërësi dhe Himarës në veçanti, Presidenti Topi ka thënë se nuk ka arsye që kjo zonë të qëndrojë e pazhvilluar, duke këshilluar për hartime të planeve integrale për zhvillimin e turizmit dhe ndërtimit. "Është e pafalshme që në 2008 të kemi një fizionomi turistike që u ngjan vendeve mesdhetare të viteve ‘50", ka deklaruar Presidenti Topi, duke bërë fjalë për ndërtime që ngrihen për mbijetesë në vendin më të bukur. Topi tha se plazhet shqiptare janë të fundit në Evropë që vizitohen nga flukset turistike, pasi turistët kanë ezauruar plazhet e tjera. Ndërkohë, ai u shpreh se e keqja dhe e mira vijnë bashkë, duke shpjeguar se ne kemi kaluar të keqen e ndalimit të turizmit, ndërsa e mira është te shansi për të mësuar nga gabimet e të tjerëve. Kërkesa për bashkëpunim dhe për bashkekzistencë në standarde më të larta të harmonisë fetare, ka qenë apeli i Presidentit në Himarë. Duke këshilluar që pushteti vendor i Himarës të trajtojë gjithë zonën me një harmonizim të interesave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›