E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhjet e natës, shtohen patrullat e policisë

Policia e Tiranës shton Patrullat e Përgjithshme gjatë orëve të natës për shkak të luftës kundër vjedhjeve. Kjo nismë është ndërmarrë pak ditë më parë nga eprorët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, me qëllim uljen e numrit të vjedhjeve. Sipas të dhënave, pasi janë bërë analiza të përgjithshme dhe të detajuara, është vënë re se vjedhjet më të shumta kanë ndodhur gjatë natës. Meqë ky fenomen ka qenë shqetësues për policinë kryeqytetase është menduar se si të minimizohet numri i tyre. Nga specialistët e policisë kriminale është propozuar shtimi i numrit të punonjësve të Policisë së Patrullës së Përgjithshme gjatë orëve të natës. Fillimisht, uniformat blu të Patrullës janë ndarë nëpër komisariate, duke kaluar në varësi të tyre. Kjo ndarje është bërë sipas kërkesave dhe nevojave të komisariateve për uniforma blu. Në këto kushte, policia ka detajuar edhe një plan për zonat problematike, ku ndodhin më shumë vjedhje. Kështu, është vendosur që numri i Patrullave të Përgjithshme, gjatë natës të patrullojnë dhe të kryejnë kontrolle më të shumta në këto zona. Ky plan, tashmë ka nisur zbatimin e tij, i cili edhe po jep rezultatet e para. Burimet policore bënë të ditur se, për shkak të shtimit të patrullave të përgjithshme gjatë orëve të natës, ka pësuar ulje edhe numri i vjedhjeve. Uniformat blu të këtij sektori, gjatë patrullimit të tyre, janë ngarkuar me detyra për kontrolle të personave të dyshuar dhe verifikimin e tyre në rastet e nevojshme. Gjithashtu, gjatë orëve të natës, uniformat blu patrullojnë shpeshherë në zonat problematike dhe bëjnë qëndrime me qëllim parandalimin e vjedhjeve.

Ndërkohë, një tjetër detyrë për Patrullat e Përgjithshme është edhe ajo e parandalimit të aksidenteve rrugore. Sipas të dhënave policore, që nga muaji janar është kërkuar nga autoritetet shtimi i punonjësve të policisë në Patrullën e Përgjithshme me qëllim parandalimin e aksidenteve. Kështu, policia ka menduar për shtimin e patrullave të përgjithshme gjatë 24 orëve, pasi sipas saj, puna e tyre ka ndikuar në disa aspekte. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, njoftoi para pak ditësh se kanë nisur regjistrimet për rekrutë të rinj në polici, të cilët do të kalojnë në Patrullën e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Rreth 150 persona do të pranohen në shkollën e policisë, të cilët do të diplomohen gjashtë muaj pas fillimit të shkollës. Pjesa dërmuese e tyre do të nisin punë në Tiranë, ndërkohë që me kalimin e kohës pritet që Patrulla e Përgjithshme të funksionojë edhe në qarqet e tjera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›