E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgohet në Suedi kërkesa për ekstradimin e Zylfije Haklajt

Dërgohet në Suedi kërkesa për ekstradimin e Shotës së Haklajve. Prokuroria shqiptare u ka dërguar zyrtarisht autoriteteve suedeze kërkesën për ekstradimin e shtetases Zylfije Haklaj, e arrestuar një muaj më parë në shtetin skandinav, pasi është dënuar me 25 vjet burg si autore e një vrasjeje të dyfishtë në Shqipëri. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se drejtësia shqiptare tashmë është në pritje të përgjigjes nga ana e organeve suedeze për ekstradimin e saj. Në dosjen hetimore të drejtësisë shqiptare, tashmë të përkthyer në Suedisht, jepen të gjitha detajet, që nga momenti i ekzekutimit të dy personave dhe deri te vendimi gjyqësor i Gjykatës së Tiranës, e cila e dënoi me 25 vjet heqje lirie.

Kundër dosja e prokurorisë

Avokatët e familjes Haklaj kanë deklaruar se do të dërgojnë në Suedi një tjetër dosje me akuzat e politikës ndaj familjes Haklaj. Sipas tyre, autoritetet suedeze të drejtësisë nuk do të binden me provat e dërguara nga Tirana zyrtare. Avokatët deklarojnë se ekstradimi i Zylfije Haklajt pritet të pasojë rastin e vëllait të tij, Hamdi Haklajt, i cili, në bazë të pretendimeve se i rrezikohet jeta në Shqipëri, ka arritur të bindë drejtësinë e vendit nordik, se procesi ndaj tij, i filluar në Tropojë dhe i transferuar në Gjykatën e Tiranës, ka pasur motive politike dhe hakmarrëse. Sipas tij, të njëjtat qëllime ka edhe një tjetër çështje, që aktualisht ndodhet në hetim nga prokuroria e kryeqytetit, pasi kolegët e Tropojës e transferuan për arsye sigurie. Ndërkohë, Zylfije Haklaj, 45 vjeçe, nga Tropoja, u arrestua një muaj më parë në qytetin e Goteborgut, në Suedi, nga forcat e policisë së këtij qyteti, në bashkëpunim me Interpol Tiranën. Emri i saj figuronte në listën me 10 personat më të kërkuar nga Interpol Tirana, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Gjykata e Tiranës e ka deklaruar fajtore dhe e ka dënuar atë me 25 vjet burg për vrasjen me armë zjarri për motive hakmarrjeje të shtetasve Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani, si dhe plagosjen e shtetasve Izet Dusha dhe Hysen Biberaj në prill të vitit 2002 në Tropojë. Në Suedi, kjo shtetase përdorte emra të ndryshëm për t‘iu shmangur autoriteteve policore.

Zylfija ndërroi identitet

Thuajse 6 vjet pasi kishte ekzekutuar me kallashnikov dy persona, Zylfie Haklaj, 45-vjeçarja në top listën e 10 më të kërkuarve të vendit, u arrestua në Goteborg të Suedisë. Me flokë të shkurtra, e gjatë 1 m e 90 cm dhe me tipare krejt mashkullore, ajo maskohej si burrë dhe përdorte identitete të ndryshme në Goteborg të Suedisë, qytet ku vëllai i saj, Hamdi Haklaj, u arrestua teksa i blinte vetes një dhuratë për ditëlindje. "Më datën 16 prill 2008, në afërsi të Goteborgut në Suedi, Interpol-Tirana, në bashkëpunim me Interpol-Suedinë, kanë arrestuar shtetasen shqiptare Zylfie Haklaj, 45 vjeçe, lindur në Tropojë. Kjo shtetase është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka regjistruar procedimin penal nr. 38, datë 02. 04. 2002, për veprat penale të "vrasjes në rrethana cilësuese dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake", parashikuar përkatësisht nga nenet 79/dh dhe 278/4, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë" deklaronte drejtësia shqiptare. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, Zylfie Haklaj në datën 2 prill të vitit 2002, rreth orës 10.40 minuta, në një lokal të qytetit të Tropojës, ka vrarë me armë zjarri shtetasit Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani, dhe ka plagosur shtetasit Izet Dushaj dhe Hysen Byberi. Gjykata me vendimin n. 98, datë 16 korrik të vitit 2004, ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg", në ngarkim të shtetases Zylfi Haklaj. Ndërkohë, po kjo gjykatë e ka dënuar këtë shtetase me 25 vjet burgim. Shtetasja në fjalë shpeshherë maskohej si mashkull dhe përdorte emra të ndryshëm".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›