E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, 530 policë nuk paguhen prej katër muajsh

Të gjithë efektivët e rolit bazë dhe të mesëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier nuk kanë marrë shpërblimin për orët e natës që nga muaji shkurt i këtij viti. Bashkë me këto para, efektivët e Policisë së Fierit nuk janë paguar edhe për orët suplementare. I përsëritur, ky problem ka bërë që policët e Fierit të kërkojnë me dhjetëra herë lekët që u takojnë. Ata, jo vetëm që kanë kërcënuar me braktisje të vendit të punës pas kapërcimit të tetëorarëshit zyrtar, por kanë thënë se do të vendosin që të mos u binden urdhrave dhe të mos shkojnë në vendngjarje kur t‘u kërkohet. Në departamentin e financës së Drejtorisë së Policisë askush nuk përgjigjet, ndërkohë ajo që vjen nëpërmjet policëve të papaguar ka të bëjë me faktin se ka qenë zyra e financës ajo që u është shmangur përllogaritjeve në kohën e duhur dhe si rrjedhojë ka vonuar edhe dërgimin formularëve përkatës drejt Ministrisë së Brendshme e Thesarit.

Policë të komisariateve të Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës njoftojnë se asnjë nga efektivët e rolit të agjentit nuk është paguar për orët e natës. Madje, të përfshirë në skemën e mospagesës për këtë vështirësi nate janë edhe nëninspektorët dhe inspektorët e policisë.

Të pyetur nga gazeta "Shqip", shumë punonjës policie të tre komisariateve të qarkut kanë treguar se kjo është një praktikë e përsëritur, e cila i lejon ata që të aludojnë mbi drejtuesit e tyre. "Nëpërmjet mediave dëgjuam që drejtori i përgjithshëm, Ahmet Prençi, u tregua i gatshëm dhe dha urdhër që asnjë nga policët në Tiranë e në rrethe të mos lihej pa u paguar për orët e natës, por më kot. Në Drejtorinë e Policisë Fier, kjo fjalë e drejtorit të përgjithshëm ka hyrë nga njëri vesh e ka dalë nga tjetri", tha policia M.G., i cili punon në Komisariatin e Ballshit.

Policët tregojnë se kërkohen orë e pa orë në raste ngjarjesh, por jo me të njëjtën gatishmëri u hidhen edhe lekët që u takojnë. Që nga muaji shkurt i këtij viti, asnjë nga uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier nuk është paguar për orët suplementare, ku futen shërbimet e tyre në stadiume, koncerte, panaire, mitingje etj. Ndërkohë që kërkesa e uniformave blu për pagesën e orëve të natës ka shkuar me dhjetëra herë në departamentin e financës së drejtorisë, pa marrë përgjigje.

Në këtë zyrë, policët kanë shkuar jo vetëm në mënyrë individuale, por edhe në grup sipas reparteve e seksioneve. Përballë përsëritjes së rasteve të mospagesës së orëve të natës dhe orëve suplementare, rreth 530 punonjës të Policisë së Fierit kërcënojnë se do të braktisin shërbimet.

Në departamentin e financës në Drejtorinë e Policisë së Fierit askush nuk të kthen përgjigje. Edhe në zyrën e informacionit të drejtorisë nuk të flasin për këtë problem. E vetmja përgjigje vjen nëpërmjet vetë policëve që janë paraqitur pranë departamentit të financës. Ata thonë se zyra e financës është justifikuar me mospërllogaritjen në kohën e duhur të këtyre shërbimeve dhe si rrjedhojë e saj ka ardhur edhe vonesa e dërgimit drejt ministrisë të kërkesës për fond.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›