PR: Në zgjedhjet e 2009-ës të votojnë edhe emigrantët
Partia Republikane ka kërkuar dje që në zgjedhjet e vitit 2009 të votojnë edhe emigrantët shqiptarë që ndodhen jashtë vendit. Gjatë një konference për shtyp, nënkryetari i PR-së, Aleksandër Garuli, ka bërë të ditur qëndrimin e republikanëve për sistemin zgjedhor duke mos i kursyer kritikat për dy partitë e mëdha politike, të cilat po e mbajnë peng realizmin e tij. Ai theksoi se PR-ja e konsideron të vonuar punën për hartimin e Kodit Zgjedhor. "Ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor bëjnë të domosdoshëm hartimin e një Kodi Zgjedhor tërësisht të ndryshuar. Kjo kërkon sigurisht shumë kohë nisur nga problematika dhe debatet e pritshme politike që do të shoqërojnë këtë proces, që duhet të jetë i hapur, transparent dhe me pjesëmarrjen efektive të gjithë spektrit politik parlamentar", është shprehur Garuli. Sipas tij, çdo vonesë e mëtejshme për hartimin e Kodit Zgjedhor do ta vështirësonte këtë proces dhe nuk do t‘u jepte partive politike kohën e mjaftueshme në përgatitjen e tyre për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009.