Pronat në Kashar, dosje e re në Prokurorinë e Tiranës
Mafia e pronave në Komunën e Kasharit dyshohet se ka mbivendosur edhe dhjetëra hektarë, duke i shkaktuar banorëve të fshatrave në periferi të Tiranës miliona euro humbje. Prokuroria e Tiranës tha dje se, krahas dosjes së Kasharit, që është dërguar në gjykatë, një tjetër dosje me 30 denoncime të banorëve gjendet në zyrat e hetuesve, në pritje për t‘u verifikuar. Koha e pakët në dispozicion të grupit hetimor, për shkak të përfundimit të afateve të arrestit ndaj të pandehurve, ka detyruar zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës të ndajnë dosjen, duke lënë të hapura 30 pretendime të tjera të banorëve të Kasharit. Ndër to është edhe denoncimi i familjes së Gani Kamberit, sipas të cilëve, kryekomunarët e Kasharit kanë mbivendosur 9 mijë metra katrorë. Sipas Prokurorisë së Tiranës dyshohet se ekzekutimi i Gani Kamberit është realizuar pas denoncimit të tij për tjetërsimin 9 mijë metrave katrorë. Rasti i tjetërsimit të pronësisë së familjes Kamberi po hetohet nga Prokuroria e Tiranës në kuadër të dosjes penale ndaj tre ish-kryetarëve të Komunës së Kasharit të arrestuar në fillim të dhjetorit 2007. Sipas njësisë antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e pagëzuar Task-Forca, dosja implikon ish-krerët e Komunës Kashar, gjatë mandateve të tyre nga viti 2000-2007, kanë tjetërsuar pronësinë e rreth 18 hektarëve tokë në pronësi të rreth 60 banorëve të zonës. Kamberi kishte pasur konflikte të ashpra me krerët e komunës, madje edhe konfrontime fizike me njerëz të afërt të drejtuesve të pushtetit lokal. Për shkak të këtyre problemeve, edhe pse policia e klasifikoi vetëvrasje ngjarjen e ndodhur më 14 tetor 2007 me Gani Kamberin, prokuroria tashmë po heton me dyshimet se dëshmitari i dosjes "Kashari" mund të jetë vrarë. Dyshimet e para bien mbi të arrestuarit në kuadër të dosjes "Kashari", megjithatë hetimet e mëvonshme do të zbulojnë fakte dhe prova të reja për "mafien e pronave". Organi i akuzës deklaron se së bashku me përgjimet telefonike dhe denoncimet e banorëve të zonës, edhe harta e sekuestruar do t‘i nënshtrohet sërish një ekspertize, ku do të përcaktohen të gjitha trojet e mbivendosura nga krerët dhe ish-krerët e Komunës së Kasharit. Sipas informacioneve paraprake, zona e abuzimeve shtrihet edhe në fshatin Yzberisht, ku janë ndërtuar dhe po ndërtohen objekte shumëkatëshe. Hetuesit thanë se denoncimet dhe përgjimet telefonike janë pjesë e procesit hetimor, i cili do të zbardhë hartën e vërtetë të tokave ku ka mbivendosje dhe konflikte pronash, të cilat kanë prodhuar milionat që janë përfituar nga krerët dhe ish-krerët e komunës. Kjo komunë është vënë në shënjestër të ndërtuesve për shkak të pozicionit të favorshëm të trojeve në periferi të Tiranës. Në periudhën 2000-2007, dhjetëra banorë të Komunës së Kasharit kanë denoncuar skandalin në Policinë dhe Prokurorinë e Tiranës. Tashmë, në dosjen e re, janë rreth 30 denoncime që janë regjistruar dhe po hetohen bashkërisht, nga ku kanë dalë përgjegjësit e parë. Rreth shtatë persona janë të implikuar në mbivendosjen e pronave, ku krahas tre krerëve të komunës, Alfred Sulaj, Faik Fejza dhe Naim Karaj, përgjegjës janë edhe Islam Shera, ish-kryeplak i Kasharit, si dhe Shefqet Alikaj, me detyrë përgjegjës i Zyrës së Kadastrës. Ndërsa në rolin e sekserit janë prangosur Ismail Sulaj e Xhevair Hyka, njëri prej tyre kushëriri i kryekomunarit Sulaj. Sipas banorëve, këta persona, në kundërshtim me ligjin, u kanë marrë pronat dhe ua kanë dhënë personave nga Tirana apo biznesmenëve për një vlerë të konsiderueshme.
Dosja 1
Tre komunarë në gjyq
Prokuroria e Tiranës përfundoi disa ditë më parë hetimet për 10 ish-zyrtarë të Komunës së Kasharit, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mbivendosur disa herë truallin prej 33 hektarësh (329938 m²). Nga hetimet ka rezultuar se prej më shumë se shtatë vitesh, tre kryekomunarë në Kashar, periferi e Tiranës, kanë abuzuar me mbivendosjen e dhjetëra hektarëve tokë bujqësore dhe troje, duke shkaktuar një dëm prej miliona eurosh. Hetuesit e çështjes thanë dje se kanë dërguar për gjykim Alfred Sulajn, Faik Fejzon dhe Naim Karajn me detyrë kryetarë dhe ish-kryetarë të kësaj komune. Ata akuzohen se gjatë viteve 2000-2007 kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokave dhe kanë pajisur me vërtetime pronësie persona të ndryshëm, duke qenë ose jo banorë të Komunës së Kasharit, kundrejt përfitimeve të paligjshme.