E Diel, 1 Nëntor 2026

Çudia në Tropojë, dy muaj burg për kushtet atmosferike

Prokurorët luajnë me fatin e të paraburgosurve. Gjykatat gjithashtu rezultojnë të implikuara
Habjon Hasani

Në Tropojë mund të ngelesh në burg me muaj të tërë edhe nëse organet hetimore nuk paraqesin asnjë provë para trupit gjykues. Të paktën ky është konkluzioni që del vetiu nëse i referohesh historisë së Naim Latës, një qytetari të Tropojës, i cili bëri më shumë se dy muaj burg në kushtet kur ndaj tij nuk ekzistonte asnjë provë fizike dhe materiale që mund ta implikonte me dyshimet e prokurorëve të çështjes. Gjithsesi, duket se argumentimet që prokurorët kanë dhënë para trupit gjykues për mbajtjen e shtetasit Lata në burg përbëjnë një “paketë” pretendimesh të denja për anekdoda. “Albania” ka mundur të sigurojë të gjithë procedurën ligjore dhe korrespondencat që lidhen me çështjen ndërsa është i qartë fakti se nëse të bie “shansi” të futesh në ambientet e paraburgimit të Tropojës, me “ndihmën” e prokurorëve të qytetit mund të qëndrosh aty pafundësisht, edhe pse nuk ekziston asnjë provë konkrete që mund të të lidhë me pretendimet e organeve hetimore.

Historia

Më datën 7 dhjetor të vitit 2007, policia e Tropojës zhvillon një kontroll në diskon (e vetmja në qytet) në pronësi të vëllait të shtetasit Naim Lata. Gjatë kontrollit të policisë u gjet mbi banak një pistoletë, ndërsa vetë Lata në momentin e gjetjes së pistoletës (sipas procesverbalit të policisë) ishte ulur rreth pesëmbëdhjetë metra larg banakut. Gjithsesi, policia e arreston shtetasin Lata, ndërsa lë të lirë të gjithë personat e tjerë që ndodheshin në diskotekë. Katër ditë më vonë, në datën 11 dhjetor të vitit 2007, Gjykata e Rrethit të Tropojës jep masën e sigurisë për shtetasin Naim Lata, duke vendosur që ai të qëndronte në burg për 20 ditë, kohë e mjaftueshme kjo derisa ekspertiza kriminalistike të jepte të dhënat e shenjave të gishtërinjve për pistoletën e gjetur mbi banak. Duke qenë se analizat për armën e gjetur kryheshin në Tiranë, masa e sigurisë dukej një kohë e përshtatshme për të zgjidhur pikëpyetjet e çështjes. Por pasi arma u çua për analizim duket se më tej nuk është kryer asnjë veprim tjetër nga ana e prokurorëve të çështjes, të cilët, siç rezulton “kanë harruar” të marrin të dhënat e ekspertizës brenda afatit të caktuar ligjor (20-ditëshit).

Sinoptika

Si rregull, në datën 27 dhjetor duhej të përfundonte dhe afati i paraburgimit dhe i dyshuari Lata duhej të lirohej menjëherë në këtë datë nëse prokurorët nuk do të sillnin para gjykatës prova që e lidhnin atë me pistoletën e gjetur në banak. Por ndryshe nga ç’pritej, më datën 28 dhjetor Gjykata e Rrethit të Tropojës vendosi lënien e tij në burg edhe për tridhjetë ditë të tjera me arsyetimin se afati i tij mbaronte në datën 31 dhjetor (duke i llogaritur si ditën e parë të paraburgimi datën 11 dhjetor, kur u dha masa e sigurisë), duke shkelur në mënyrë flagrantre afatet kohore të vendosura nga po kjo gjykatë. Gjithsesi, në seancën kur u shty afati i paraburgimit prokurorët e çështjes pretenduan se nuk kishin mundur të siguronin përgjigjet nga Laboratori Kriminalistik, pasi, sipas tyre, “moti me reshje bore dhe kushtet atmosferike në përgjithësi nuk lejonin lëvizjen e tyre drejt Tiranës dhe anasjellas”. Një mashtrim i pastër ky nëse i referohesh të dhënave që flasin për lëvizjen normale të tragetit të këtij qyteti apo shërbimit postar, i cili nuk është ndërprerë për asnjë ditë.

Gafat

Megjithë këtë situatë antiligjore të krijuar, i paraburgosuri Lata vazhdoi të qëndronte dhe 30 ditë të tjera në burg, ndërsa në fund të këtij tridhjetëditëshi, në datën 28 janar 2008, prokurorët bënë kërkesë pranë Gjykatës së Tropojës që të lihej masa e paraburgimit në burg pa afat. Kjo kërkesë e prokurorisë u bë pasi Laboratori i Kriminalistikës kishte siguruar se “në armë nuk u gjetën shenja gishtërinjsh” dhe në mungesë të avokatëve të Naim Latës, në mënyrë krejt absurde, edhe kësaj here Gjykata e Rrethit të Tropojës vendosi të plotësonte “tekat” e prokurorëve duke lënë “burgim pa afat” për të dyshuarin Lata. Po përse duhej lënë në burg i dyshuari, kur prova e pretenduar nga prokurorët (arma e gjetur) nuk rezultoi e lidhur me të dyshuarin Lata? Duket se jo vetëm prokurorët, por as gjykatësit e Tropojës nuk kanë preferuar t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje të thjeshtë, duke shkelur afatet dhe ligjet në mënyrën më flagrante të mundshme. Për fat, të njëjtin gabim të Gjykatës së Tropojës nuk e përsëriti Gjykata e Apelit në Shkodër, e cila, pas apelimit të avokatëve, liroi në sallë të dyshuarin Lata duke u shprehur në vendim se nuk ekziston asnjë provë fizike që e lidh të dyshuarin me armën e gjetur dhe duke vendosur hetimin e tij në gjendje të lirë.

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›