Tritol në banesën e policit, dyshohet për "hakmarrje" nga detyra
VLORË – Banesa e një efektivi të policisë së Vlorës është vënë në shënjestër të një atentati, ku është vënë një sasi e konsiderueshme tritoli, por që nuk ka shkaktuar viktima. Burimet zyrtare të Policisë së qytetit bregdetar bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të ditës së djeshme, ku një sasi eksplozivi është vënë në shtëpinë e shtetasit Thoma Xhavara, me profesion polic i Qarkullimit Rrugor në Vlorë. Sipas burimeve zyrtare, “nga shpërthimi, nuk ka të lënduar, por vetëm dëme të shumta materiale. Ende nuk dihen autorët e vendosjes së lëndës plasëse në banesën e policit, por policia po merr të gjitha të dhënat e nevojshme, sidomos konfliktet më të fundit të mundshme që polici ka pasur gjatë kryerjes së detyrës. Vetë Xhavara ka pohuar se nuk ka patur konflikte familjarisht me persona të tjerë. Por, ai ka hedhur dyshime për ndonjë “hakmarrje” të mundshme për shkak të detyrës. Grupi hetimor është fokusuar mbi pistën e tritolvënies për shkak të pozicionit që Thoma Xhavara ka në strukturat e Rendit në Qarkun e Vlorës.
5 Mars 2008