E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, 62 vite burg për zhdukjen e imamit të Gostivarit

Pas shumë vitesh dosja e zhdukjes së imamit të Gostivarit ka fajtorë dhe të pafajshëm. Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje vendimin për të pandehurit duke cilësuar vetëm njërin prej tyre si të pafajshëm në këtë ngjarje. Kolegji penal gjykoi të dënonte me 14 vjet burg Masar Melin, 10 vjet burg Korab Melin, pafajësi për Nagip Musliun, 12 vjet burg për Beqir Shahun, 12 vjet burg për Basri Shahun dhe 14 vjet burg për Shkëlqim Palushin. Ngjarja daton që me 2 dhjetor të vitit 2002, disa persona të paidentifikuar rrëmbyen në Gostivar, myftiun e këtij qyteti Irfan Idrizi. Pas disa ditësh, ata telefonojnë familjen tij dhe i kërkojnë në këmbim të të afërmit të tyre 500 mijë euro. Por, edhe pse u pagua kjo shumë, pengu nuk lihet i lirë. Shuma e marrë nga grupi i pengmarrësve shkoi deri në 1 milion euro. Zhdukja e imamit të Gostivarit është përfshirë si dosje në Drejtësinë shqiptare që në vitin 2003. Fillimisht me këtë çështje u mor Prokuroria e Shkodrës dhe më pas, për shkak të rëndësisë, dosja kaloi për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Menjëherë u prenë fletë-arrestet për gjashtë persona. Midis tyre dhe një zyrtar i Prokurorisë së Kukësit. Pengu është parë për herë të fundit nga Mezim Bexheti në një prej kontakteve të tij me pengmarrësit. Që prej asaj dite, askush nuk ka dëgjuar dhe di gjë për vendndodhjen e tij, apo nëse është gjallë. Në dëshmitë e dy personave nga Gostivari, kushërinj të Irfan Idrizit, përmendën shumë emra personash, në vende të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin Gostivarit, Kosovës dhe Kukësit.

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›