E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet në Gërdec, 4 zyrtarë nën hetim

Prokuroria e Tiranës fillon procedimin penal për 3 ekspertë të Agjencisë së Legalizimeve (ALUIZNI) dhe një zyrtar të Bashkisë së Vorës, nën akuzën e "shpërdorimit të detyrës" gjatë vlerësimeve për 25 objekte të shkatërruara plotësisht në Gërdec. Vlerësuesit janë denoncuar në prokurori nga Policia e Tiranës, e cila prej disa javësh filloi një riverifikim të të gjitha materialeve të nëpunësve të shtetit. Burime nga akuza kryeqytetase thanë se personat nën hetim kanë manipuluar faturën ekonomike të tragjedisë. Në këmbim të një vlerësimi më të lartë, ekspertët e ALUIZNI-t, sipas Prokurorisë së Tiranës, përfitonin një ryshfet të majmë. Metodat speciale të hetimit kanë mundësuar evidentimin e dhjetëra rasteve, ku nëpunësit e dyshuar për korrupsion bënin "pazare" me banorët e shtëpive për një vlerësim më të madh sesa vlera reale e dëmeve që u shkaktuan nga tragjedia e Gërdecit. Por, në disa raste, në momentin që privatët nuk jepnin ryshfet, vlerësimi bëhej më i ulët. Burime nga akuza thanë dje se pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve nga nëpunësit e autorizuar prej shtetit, në Bashkinë e Vorës janë depozituar dhjetëra ankesa të banorëve për mosvlerësim real të dëmeve që kishte pësuar banesa e tyre. Në lojë është futur policia, ku specialistë të saj kanë mundësuar një rivlerësim real, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë deklarimet e pronarëve. Nga informacionet e grumbulluara u arrit të dokumentohej se ekspertët shtetërorë kanë abuzuar me detyrën dhe si pasojë i kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm. Ndaj tyre është kryer kallëzimi penal, ndërsa pritet që në ditët në vijim të japin shpjegime në organin e akuzës. Organi i akuzës tha dje pasdite se ka regjistruar kallëzimin penal dhe nga materialet e policisë rezulton se ka një diferencë të konsiderueshme mes vlerësimit të parë dhe atij të bërë nga ekspertët e kontaktuar prej policisë. Dyshohet se vlerësuesit e Bashkisë së Vorës dhe ALUIZNI-t kanë abuzuar, duke kryer vlerësime fiktive, në këmbim të ryshfeteve, ndërsa në rastin që nuk përfitonin ryshfet, kanë kryer një vlerësim të ulët. Banesat që janë shkatërruar pjesërisht dhe kanë të njëjtat dëme, do të krahasohen nga ekspertët e policisë. Nëse rezulton se janë kryer vlerësime të ndryshme, nëpunësit do të përballen me sanksione ligjore. Gjithsesi, burimet thanë se duhet një kohë relativisht më e gjatë e verifikimit të të gjitha pretendimeve të banorëve, pasi pjesa më e madhe e të prekurve nga tragjedia pretendojnë se shteti ka kryer një vlerësim jo fiktiv të të gjitha dëmeve. Por, policia deklaron se hetimi është shumë i vështirë, pasi do të merren dorë më dorë rreth 4000 dosje të të gjitha shtëpive. Grupet e punës, për çdo banesë të verifikuar në terren, kanë hartuar dhe mbajtur procesverbal. Procesverbali përmban të dhëna të sakta, duke specifikuar sipërfaqen e dëmtuar në metër katror me çmimin e përafërt të sipërfaqes. Procesverbalet janë shoqëruar edhe me fotografi dixhitale të objektit dhe pjesëve të dëmtuara të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›